Peniani: Sulm atomik Shtëpisë së Bardhë

28/07/2014 00:00

Një oficer i rangjeve më të larta të ushtrisë koreano-veriore ka kërcënuar një sulm bërthamor ndaj Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit pasi ka akuzuar Uashingtonin për ngritjen e tensioneve ushtarake në Gadishullin korean.

Kërcënimi erdhi nga Hwang Pyong So, drejtor i Byrosë së Përgjithshme Politike të ushtrisë, gjatë një fjalimi të gjatë para trupave koreane në Penian ditën e dielë, me rastin e përvjetorit të armëpushimit që i dha fund luftës koreane të viteve 1950-53.

Hwang, që mban gradën e zv/marshallit në Ushtrinë Popullore Koreane, deklaroi se stërvitjet e fundit ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, gjatë të cilave u vendos në ujërat aziatike edhe një aeroplanmbajtëse amerikane e pajisur me raketa bërthamore, kishin ngritur më tej tensionet.

“Nëse imperialistët amerikanë kërcënojnë sovranitetin dhe jetën tonë, trupat tona do të qëllojnë raketat tona me armatim bërthamor ndaj Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit, që janë dhe burimet e së keqes”, deklaroi Hwang, fjalimi i të cilit u transmetua të hënën në televizionin shtetëror.

Nuk është hera e parë që retorika luftarake e Koresë së Veriut ka përfshirë kërcënimet bërthamore ndaj Shteteve të Bashkuara dhe bazave amerikane në Paqësor.

Por shumë ekspertë janë të mendimit se vendi i izoluar komunist është shumë larg zhvillimit të një rakete balistike ndërkontinentale me rrezen e duhur të veprimit.

Veriu ka kryer tre teste bërthamore, por këto nuk mjaftojnë që të ketë perfeksionuar teknikat e duhura për të montuar një kokë bërthamore në një raketë.

Top Channel