Politikanët urojnë besimtarët myslimanë

28/07/2014 00:00

Ashtu si në çdo festë fetare, drejtuesit më të lartë të shtetit, politikës, institucioneve, komuniteteve të tjera fetare dhe trupit diplomatik në Tiranë, edhe këtë Fiter Bajram kanë bërë vizita në selinë e Komunitetit Mysliman dhe kanë dërguar urimet për të gjithë besimtarët.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka dalë nga urimi tradicional në këtë ditë feste, duke e zgjeruar mesazhin. “Shpreh nderimin e veçantë për ata klerikë myslimanë, që bashkë me vëllezërit e tyre klerikë katolikë e ortodoksë i rezistuan ferrit komunist”, u shpreh Nishani.

Por përfundimi i muajit të Ramazanit përkon me fillimin e një jave jo të lehtë për mazhorancën në Kuvend. Pas të enjtes së shkuar, kur nuk u mundësuan votat për të bërë shumicën e cilësuar, mazhoranca që numëron 85 deputetë në radhët e saj ka provën e fundit për këtë sesion këtë të enjte, kur në rendin e ditës janë pika të rëndësishme si reforma territoriale apo projektligji për KLD-në.

Kryeministri Rama shprehu qëndrimin e tij të kahershëm kundër rreshtimit të politikanëve në dyert e institucioneve fetare.

“Unë do them vetëm gëzuar, sepse ju e dini që jam kundër rreshtimit të politikanëve në dyert e institucioneve fetare dhe bëjnë urime kur sot jemi të gjithë të barabartë”, deklaroi Rama.

Ndërsa kryeparlamentari Meta përfshiu në mesazhin e tij për këtë ditë edhe fjalën reflektim. “Sot ndihemi të lehtësuar, më mirë dhe më të gatshëm për të reflektuar për një të ardhme më të mirë për gjithë shqiptarët”, tha Meta.

“Kjo është një festë e cila nuk duhet të ndikohet nga zhvillimet e javës”, u përgjigj ai kur u pyet nga mediat lidhur me zhvillimet politike.

Kryetari i opozitës Lulzim Basha, që gjithashtu u shpreh kundër politizimit të mesazheve nga selitë e komuniteteve fetare, brenda mesazhit të tij për të gjithë besimtarët përfshiu edhe një urim për qeverinë.

“Uroj që në këtë ditë asnjë të mos i ikë përgjegjësive dhe asnjë të mos i ikë përgjegjësisë për xhaminë e madhe të premtuar. Kërkoj mirëkuptimin që sot të mos e ngatërrojmë me mesazhe të tjera këtë ditë”, deklaroi Basha.

I pyetur se ku ka mbetur projekti i xhamisë së re të Tiranës, përgjigjia e zotit Basha ishte për kundërshtarin politik. “Pyesni atë që iku pa u përgjigjur”, tha ai.

Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi, pavarësisht se vizitën në Komunitetin Mysliman e bëri në kohën mes dy krerëve mazhorancës, mesazhin e pati të njëjtë me kryetarin demokrat.

“Unë shpresoj dhe i bëj thirrje qeverisë që t’ua vërë në vend dinjitetin besimtarëve myslimanë dhe që ata të falen në objektet e kultit. Gëzuar për të gjithë myslimanët”, tha Idrizi, i cili refuzoi të fliste për çështje politike.

Ndërsa mbetet ende e pakonfirmuar vota e deputetëve të mazhorancës që u larguan nga votimi në seancën e së enjtes së shkuar, ajo që mbetet është durimi, siç u shpreh kur u pyet mbi këtë çështje anëtari i komisionit të ligjeve, Pandeli Majko.

“Fiter Bajrami na mëson raportin me joperfekten që ekziston brenda nesh. Kjo na bën që t’u urojmë gëzuar atyre që na mësojnë se si të përballojmë vështirësitë”, u shpreh Majko.

Top Channel