Në kërkim të parave të vjedhura

28/07/2014 00:00

Prokuroria dyshon se një pjesë e parave, që u vodhën në Thesarin e Bankës së Shqipërisë, mund të jenë transferuar jashtë shtetit.

Gazeta “Shqip” raporton se, përkundër deklarimeve të të arrestuarit Bitraj, i cili pretendon se të gjitha paratë e vjedhura i ka lënë në kumar, prokurorët kanë dyshime të arsyeshme se një pjesë e tyre mund të jenë transferuar jashtë.

Për këtë qëllim, grupi hetimor ka kërkuar informacion nga bankat private në vend. Sipas “Shqip”-it, në “hetime” janë përfshirë të gjitha strukturat, si ato të investigimit të Bankës së Shqipërisë, ekspertë të Drejtorisë kundër Pastrimit të Parave, agjentë të SHISH, apo ekspertë policorë dhe hetues të Prokurorisë.

Deri më tani, nën akuzë dhe të arrestuar janë vetëm dy ekonomistët, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzi, ndërsa hetimet po nxjerrin në dritë edhe persona të tjerë të përfshirë, ku për të paktën tre prej tyre pritet të ketë edhe masa shtrënguese.

Shteti, ku banka luhet në kumar
Dyshime mbi sigurinë, jo vetëm bankare, dhe përse të gjithë heshtin?

Skandali i bujshëm në Bankën e Shqipërisë, ku Thesari i shtetit u vodh për katër vjet me radhë, ngre një sërë pikëpyetjesh të forta mbi rolin e disa institucioneve njëherësh, që prekin deri sigurinë kombëtare.

Së pari, mbi vetë Bankën e Shqipërisë. Detyra themelore e bankës është të garantojë sigurinë e sistemit financiar, duke e mbikqyrur atë për të mos lejuar keqmenaxhimin, abuzimet apo dhe korrupsionin brenda bankave private, që do të vinin në rrezik paratë e qytetarëve.

Dështimi dhe paaftësia për të ndalur një vjedhje disavjeçare në shuma marrëmendëse, brenda vetë strukturave të saj dhe në kasafortën, që duhej të ishte më e sigurta në vend, përveç se cënon rëndë imazhin e autoritetit që qeveris sistemin financiar, përcjell një mesazh të fortë negativ për publikun.

Për shumë kritikë, ngjarja reflekton mënyrën se si administrohet prej vitesh Banka Qendrore. Për disa vjet, posti i zv/guvernantorit administrativ, i cili duhet të merret me çështjet e brendshme, është mbajtur vakant, edhe pse organigrama e bankës është e përcaktuar me ligj.

Nga ana tjetër, rekrutimet e stafit kanë qenë shpesh të përfolura për nepotizëm dhe shkëmbim favoresh me pushtetin. Koincidencë apo jo, vetë drejtori i departamentit, në të cilin ka ndodhur vjedhja, është njeri shumë i afërt me Guvernatorin.

Grabitja e Thesarit mund të jetë edhe krim ordiner i një magazinieri, por në thelb ajo dëshmon rënien e një sistemi të tërë. Atij sistemi, që duhet të garantojë, së pari, sigurinë financiare, dhe, më shumë akoma, atë kombëtare. Pasi përtej bankës, ngjarja hedh përgjegjësi zinxhir mbi një sërë institucionesh të tjera.

Miliona dollarë të xhiruara me lehtësi në industrinë e kumarit, ngrenë pikëpyetje me radhë mbi autoritetin e lojrave të fatit, agjencinë e pastrimit të parave, shërbimet inteligjente dhe institucione të tjera, që merren me sigurinë kombëtare.

Pasi, nëse kanë dështuar kaq vjet të diktojnë një punonjës të thjeshtë, të xhirojë miliarda lekë në kumar, sa gjasa ka që e kanë bërë këtë me grupet e fuqishme kriminale, paratë e të cilëve mund të burojnë nga trafiqet apo kanale të tjera kriminale?

Në fund, superskandali ka nxjerrë në pah edhe një tjetër çështje. Kurrë më parë, Parlamenti dhe politika nuk ka heshtur përballë një ngjarjeje me këto përmasa. Madje, lufta politike ka qenë e ashpër edhe për skandale shumë më të vogla, pa pyetur nëse çështjet mund të ishin apo jo nën hetim.

Këtë herë, ndonëse ka kaluar më shumë se një javë nga shpërthimi i skandalit, vjedhja në Bankën e Shqipërisë ka qenë jashtë axhendës së të gjithëve. Së pari, jashtë axhendës së mazhorancës, e ardhur në pushtet me premtimin për të drejtuar ndryshe. Për të ndërtuar shtet, aty ku s’kishte, dhe për të luftuar korrupsionin.

Së dyti, jashtë axhendës së opozitës dhe organeve të saj të shtypit. Asaj opozite, që del çdo ditë në media, edhe kur në rrugë ka një aksident, por që hesht kur vidhet Thesari. Një fenomen, që ngre një tjetër pikëpyetje, mbi atë nëse, a janë apo jo marrëdhëniet mes Parlamentit, dhe politikës në tërësi, me Bankën, thjesht dhe vetëm institucionale? Apo janë deformuar nga të tjera interesa, të cilat sot mund të kenë blerë heshjten e përgjithshme.

Në media janë publikuar në masë emra familjarësh të deputetëve, që punojnë në Bankën e Shqipërisë. Një marrëdhënie, që ngjan më shumë me një biznes. Dhe ky nuk është një lajm i mirë. Pasi, Parlamenti është institucioni i vetëm, që ka autoritetin dhe detyrën për të korrektuar sistemin e rënë.

Top Channel