Mijëra besimtarë muslimanë në gjithë Kosovën falën namazin e Fitër Bajramit. Myftiu i Kosovës, Naim Tërrnava, në fjalimin e Fitër Bajramit në kryeqyetin kosovar është lutur për mëshirë dhe begati për qytetarët e Kosovës dhe mbarë trojeve shqiptare.

Ndërkohë, besimtarët janë lutur për ndalim të luftës dhe vrasjes së njerëzve në Siri, Gaza dhe në të gjitha vendet e tjera ku ka luftra.

“T’u ndihmohet atyre dhe të vendoset paqja mes gjithë atyre, që jetojnë në ato shtete. Të kultivojmë frymën e dashurisë, paqes, tolerancës, respektit të ndërsjelltë edhe me besime të tjera, që Kosova të jetë vend i harmonisë, tolerancës dhe paqes, ngaqë Islami është një fe, e cila i është shpallur njerëzimit me qëllimin e dhurimit të një jete paqësore, përmes së cilës pasqyrohet në tokë mëshira dhe bamirësia e pafund e Allahut. Ky është edhe mesazhi universal, i cili del në vazhdimësi, troket në ndërgjegjen e njeriut për të rizgjuar atë, në mënyrë që bota të përqafojë paqen. Vëllezër e motra, besimtarë të ndershëm e të respektuar, kudo që ju gjendeni, më lejoni edhe një herë në fund, që nga ky vend i shenjtë, nga kjo xhami, edhe një herë ta lus krijuesin e këtij universi për mirëqenien tuaj, kudo që gjendeni në Kosovë dhe në trojet tona etnike shqiptare, por edhe në mërgatën e largët. Zoti na faltë begati të shumta edhe në këtë ditë të Bajramit”, tha Naim Tërrnava, Myftiu i Kosovës.

Myftiu Tërrnava ka thënë se ky Bajram vjen pas një sakrifice të madhe, që e kanë bërë të gjithë besimtarët anekënd botës, i cili është vetëm për Zotin e madhërishëm.

“Sot është dita e parë e Fitër Bajramit, besimtarët islam anekënd botës, kudo që ata jetojnë, kanë mësyrë xhamitë, shtëpitë e Allahut, për të kryer ritet e faljes së Bajramit, i cili vjen si kurorëzim i agjërimit të muajit të Ramazanit, i tërë atij adhurimi dhe përkushtimi njëmujor që kemi bërë vetëm për Zotin, në shenjë respekti për të gjitha ato të mira, të cilat na i ka dhuruar ai”, tha Naim Tërrnava, Myftiu i Kosovës.

Lutjet e Fitër Bajramit u kryen në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Myftiu Tërrnava ishte i shoqëruar edhe nga kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri ef. Bajgora, e që është mbajtur në orën 6:00 të mëngjesit.

Liderët kosovarë urojnë Bajramin
Thirrje për mirësi, ndjenjë dhe solidaritet

Krerët e institucioneve kosovare dhe liderë të subjekteve politike kanë vizituar në ditën e Fitër Bajramit Bashkësinë Islame të Kosovës nga ku kanë shfrytëzuar rastin të urojnë gjithë besimtarët e fesë islame për këtë festë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga gjatë vizitës në Bashkësisë Islame u uroi gjithë besimtarëve festën e Bajramit, duke pohuar se Kosova është dëshmuar si vend i paqes dhe harmonisë fetare.

“Kosova, shteti ynë, ka dëshmuar se është një vend i paqes dhe i harmonisë fetare dhe kjo liri fetare është pjesë e pandashme e të drejtave të njeriut. Prandaj, edhe njëherë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të gjithë besimtarëve myslimanë iu uroj festën e Bajramit, që ta kalojnë në solidaritet, mirëkuptim dhe në dashuri me njëri-tjetrin”, uroi Jahjaga.

Ndërsa kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi uroi që në vend të ketë përherë tolerancë fetare, qytetare e politike. “Në emër të qeverisë së Kosovës dëshiroj të uroj edhe njëherë të gjithë besimtarët në këtë ditë të shenjtë të Fiter Bajramit, në këtë ditë të respektit të ndërsjellë, të tolerancës, të mirëkuptimit, të dashurisë dhe të paqes. Uroj që në Kosovë të ketë përherë tolerancë të tillë fetare, qytetare dhe politike”, u shpreh Thaçi.

Edhe krerët e partive më të mëdha kosovare, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti uruan myftiun Naim Tërnava dhe gjithë besimtarët kosovarë për Fitër Bajramin.

Top Channel