Hakerat, sulm faqeve të ministrive

28/07/2014 00:00

Faqet zyrtare online të pothuajse gjithë ministrive, përjashto atë të Mbrojtjes dhe faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, janë sulmuar nga hakerat e quajtur ‘Redanons Al Justice’ mëngjesin e së hënës.

Për minuta të tëra me radhë, ishte e pamundur të kishe akses në këto faqe, pasi në vend të informacionit shfaqej peticioni me 13 pika, i këtij grupi hakerash, drejtuar qeverisë dhe kryeministrit.

Disa nga kërkesat kishin të bënin me reformën në arsim, në drejtësi, mos zbatimin e vendimit për IMEI-n e celularëve. Ndërkohë, akuzohet kryeministri Rama se po përpiqet t’i marrë të gjitha kompetencat presidentit.

Pas ndërhyrjes së menaxhuesve të këtyre faqeve, ato i janë rikthyer normalitetit. Kjo është hera e parë që një sulm kaq masiv përfshin pothuajse të gjitha faqet e internetit të institucioneve më të rëndësishme në vend.

Nga ana e tyre, ekspertët e Krimit Kompjuterik në Policinë e Shtetit kanë nisur punën për identifikimin e personave që fshihen pas grupit të quajtur “Redanons Al Justice”.

Top Channel