Klima po ndryshon dhe Shqipëria është e papërgatitur. Ditët e nxehta e të thata po rriten dhe reshjet e dendura vijojnë për një kohë të gjatë. Ekspertët parashikojnë rritje të temperaturave mesatare vjetore dhe pakësim të reshjeve të shiut.

“Ndikimet, në të gjithë sektorët e ekonomisë, janë kushtet ekstreme të motit. Si përshembull rëniet e shirave me intensitet e frekuencë të lartë, por edhe valët e nxehta të motit, të cilët ndikojnë në rritjen e numrit të ditëve qoftë me nxehtësi të lartë, qoftë me reshje të dendura. Këtë gjë e kemi vënë re edhe gjatë këtyre ditëve të Korrikut, kur kemi parë në mes të verës ditë me reshje të paparashikuara”, tha Laureta Dibra.

Por, sektori i Bujqësisë dhe i Turizmit priten të cënohen më rëndë, prandaj ekspertët kërkojnë që për çdo investim të parashikohen edhe ndryshimet klimatike, të cilat do të sjellin erozion, por edhe dëmtim të ujrave nëntokësore.

“Studimi më i fundit për të gjithë zonën bregdetare, duke filluar që nga Shkodra e deri në Sarandë, ka treguar se do të ketë një rritje të nivelit të detit, nga 26,4 cm e deri në 72,6 cm, gjë që do të ndikojë në të gjitha shtëpitë, rrugët, hotelet që ndodhen në këto zona, por jo vetëm. Përmbytjet mund të ndikojnë në rrugët lokale e kombëtare, për të shkuar më tej në ndotjen e ujrave nëntokësorë dhe ujrat e pishëm, në të korrurat dhe prodhimet bujqësore, e të gjitha këto janë të lidhura edhe me ndikimin në shëndet, pasi gjithë këto probleme do të sjellin probleme edhe në ekonominë e vendit”, shtoi Laureta Dibra.

Ditët e pushimeve, këtë verë, janë ndërprerë nga reshjet e shumta të shiut, të cilat janë shfaqur shpeshherë edhe si fenomene të veçuara, duke sjellë jo vetëm çoroditje të temperaturave, por edhe të klimës.

Top Channel