Për Partinë Demokratike është e papranueshme dhe e pafalshme, se si kryeministri Edi Rama hesht prej 17 ditësh për dosjen e publikuar nga opozita, sipas së cilës deputeti socialist, Arben Ndoka, është një ish-i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni.

Partia Demokratike thotë se kryeministri Rama hesht, sepse është ai që, jo vetëm ka futur këtë kategori në Parlament, por edhe i urdhëron këta deputetë për të ushtruar dhunë fizike dhe verbale, për t’i mbyllur gojën opozitës.

“Skandal dhe e papranueshme për gjithë shqiptarët, që një deputet i dënuar për shfrytëzim prostitucioni dhe rrëmbim personi, siç është Arben Ndoka, të jetë i preferuari i Kryeministrit dhe të vihet në rreshtin e parë në sallën e matjeve të sukseseve imagjinare, në 300 ditët e rendit. Edi Rama mund t’i rrahë shpatullat deputetëve të tij të inkriminuar, për aktet banditeske që ata bëjnë, por ai e ka humbur tashmë betejën morale dhe është, e do të jetë përgjegjës, për secilën dhunë dhe kërcënim jete ndaj përfaqësuesve të opozitës”, u shpreh deputeti i PD, Luçiano Boçi.

PD: Rama, reklama me paratë e shqiptarëve

“Propagandë qesharake e qeverisë për dështimin e 300 ditëve”

Gjatë ditës, Partia Demokratike dënoi heshtjen e kryeministrit edhe për atë, që e quan skandal financiar të reklamimeve për sukseset imagjinare të qeverisë. Zëdhënësja Laura Vorpsi nuk paraqiti ndonjë vlerë konkrete monetare, se sa ka kushtuar fushata publicitare e qeverisë, por opozita thotë se kjo propagandë nuk mund të mashtrojë sërish shqiptarët.

“Kjo propagandë qesharake, që nuk arrin të bindë askënd, as qeverinë vetë, është bërë prej ditësh objekti kryesor i barcaletave në vend. Por, shqetësuese dhe skandaloze është kjo çështje për paratë, që qeveria po shpenzon në përpjekjen për të ndryshuar realitetin e humbjes masive të vendeve të punës, rritjes së krimit dhe pasigurisë, rënies së ekonomisë dhe mungesës së investimeve. Edi Rama, prej 300 ditësh, sorollat dhe tallet çdo muaj me personat me aftësi të kufizuar, duke shtyrë vazhdimisht pagesat e tyre, ndërkohë që gjen qindra e mijëra euro për imazh fals e rrena të përditshme. Dështimet e njëpasnjëshme të këtyre 300 ditëve, Edi Rama po përpiqet t’i mbulojë me një abuzim të pastër financiar. Një tjetër flluskë e madhe dhe boshe në listën e gjatë të mashtrimeve të Edi Ramës”, deklaroi Laura Vorpsi.

Top Channel