Bradasheshi kërkon të jetë bashki

27/07/2014 00:00

Komuna e Bradasheshit, në rrethin e Elbasanit, së bashku me komunat Papër, Gracen dhe Funar, do të kërkojnë referendum, nëse miratohet ndarja e re administrative.

Banorët e kësaj zone, të mbështetur edhe nga kryetari Sabri Sollaku, e kanë cilësuar të padrejtë ndarjen e re, e cila sipas tyre është bërë pa marrë mendimin e grupeve të interesit. Banorët deklaruan se do të përshkallëzojnë protestat, duke bllokuar akset rrugore nacionale.

Ndërkohë, kryetari i Komunës propozoi të krijohet një njësi e re me emrin Bashkia Bradashesh.

“Ne i bëjmë thirrje edhe njëherë Parlamentit shqiptar, që është në prag të miratimit të variantit qeveritar për ndarjen e re administrativo-territoriale, që ta ndalin këtë variant, të mos e miratojnë, të pyesin popullin, e më pas të veprojë sipas vullnetit dhe dëshirës së popullit”, tha Sabri Sollaku, kryetar i Komunës Bradashesh.

Krerët e komunave pretendojnë se plotësojnë një sërë kriteresh, që të jenë bashki më vete. 35 mijë banorët e katër komunave u kërkojnë, nëpërmjet një shkrese zyrtare, Parlamentit, kryeministrit, OSBE-së etj., që të mbështesin kërkesën e tyre për bashki më vete.

Top Channel