Netanyahu: Hamasi shkel armëpushimin e vet

27/07/2014 00:00

Armëpushimi 24-orësh i shpallur nga Hamasi në Gaza duke se është shkelur sërish nga të dyja palët, të cilat kanë vazhduar sulmet e tyre.

Gjatë një interviste të dhënë për CNN, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi Hamasin se ka shkelur armëpushimin e shpallur nga vetë ai.

“Ata janë duke shkelur armëpushimin e tyre dhe në këto rrethana Izraeli është i detyruar të bëjë gjithçka për të mbrojtur popullin e tij”

Gjithashtu Netanyahu tha se ushtria Izraelite do të vazhdojë sulmet e saj për të shkatërruar tunelet e Hamasit, por ka dhënë më shumë shpjegime nëse do të ketë një zgjerim të mëtejshëm të veprimeve ushtarake.

Në një deklaratë të mëngjesit të së dielës, ushtria izraelite u shpreh se, pas një zjarri të pandërprerë nga ana e Hamasit, tani është radha e tyre të rifillojnë sulmet ajrore, tokësore dhe detare. Banorët në Gaza njoftuan se dëgjuan bombardime të rënda në Lindje të qytetit të Gazës.

Më herët, Izraeli kishte pranuar një kërkesë të OKB-së për një armëpushim 24-orësh, por paralajmëroi se do të veprojë ushtarakisht, nëse do të shkelej nga Hamasi. Nga ana tjetër, fillimisht Hamasi tha se nuk do të pranojë paqe, deri në momentin që trupat izraelite do të jenë ende në Gaza, e më pas ndryshoi qëndrim.

Shumë njerëz e përdorën armëpushimin, i cili zgjati vetëm për pak orë, për të mbledhur furnizime të tjera ushtarake dhe për të hequr trupat e pajetë nën rrënoja. Më shumë se 1.000 palestinezë dhe 46 izraelitë janë vrarë ditët e fundit.

Sipas zyrtarëve, shumica e të vrarëve në Gaza janë civilë. Ushtria izraelite konfirmoi gjithashtu se do të vazhdojë operacionet nëpër tunele, që përdoren nga militantët palestinezë për t’u zhvendosur nga Gaza.

Për negocimin e një pushimzjarri afatgjatë, më vonë priten të takohen në Francë ministrat e Jashtëm të Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Turqisë dhe Katarit.

Top Channel