F1, Ricciardo: E dija që mund ta mposhtja Vettelin

26/07/2014 00:00

Daniel Ricciardo rrëfeu për gazetën spanjolle ‘AS’ se gjithmonë ishte i bindur se dotë ishte më i shpejtë se shoku i tij i skuadrës Sebastian Vettel në momentin që do të përshtatej me kalimin nga Toro Rosso tek Red Bulli.

Piloti australian deklaroi se nuk priste që të fitonte gara me Red Bullin që në sezonin e tij të parë me skuderinë kampione, por fitorja e Cmimit të Madh të Kanadasë e ka bërë njeriun më të lumtur në botë.

“Ishte e mrekullueshme, fantastike. Ende nuk më është shuar lumturia. Tani shpresoj të fitojmë ndonjë garë tjetër, edhe pse duhet të arrijmë nivelin e Mercedesit për të fituar sërish”, tha Ricciardo, i cili i ka habitur të gjithë me performancat e tij që kanë qenë më të mira sesa ato të shokut të skuadrës katër herë kampion në Formulën 1.

“E kuptova që mund ta rivalizoja që në provat e lira të garës së parë të sezonit (Cmimi i Madh i Australisë). Është e rëndësishme të krahasoshesh me pilotin që ka një makinë si e jotja dhe në fund të shohësh kush ka qenë më i shpejtë. E dija që nëse do të përshtatesha me makinën, mund të konkurroja si i barabartë me Vettelin”, shpjegoi Ricciardo.

Aktualisht, Ricciardo renditet në vendin e tretë të klasifikimit të përgjithshëm të pilotëve me 106 pikë, ndërsa Sebastian Vettel e sheh veten në vendin e gjashtë me 82 pikë.

Top Channel