Galliani: Me 99% Balotelli mbetet te Milani

26/07/2014 00:00

“Në merkato nuk mund të flasësh me 100% siguri, por me 99% Balotelli do të mbetet te Milani edhe sezonin e ri”, ka thënë Adriano Galliani.

Por e njëjta deklaratë ishte dhënë edhe më 19 Maj për të ardhmen e Kaka, por ai tashmë është larguar në formë huazimi për te Sao Paulo, para se të transferohet te Orlando në Janar. Në këtë rast na mbetet të presim e të shohim, nëse drejtuesit kuqezinjë do t’i rezistojnë ndonjë oferte të majme, nëse ajo do të vijë.

Galliani ka folur edhe për Cerci-n dhe Campbell, liderin e sulmit të Kosta Rikës në botëror. “Këta dy lojtarë, ashtu si edhe shumë të tjerë kanë karakteristika të cilat i pëlqejnë trajnerit tonë, por deri tani nuk kam gjë për të thënë”.

Ndërsa për Robinho-n, ai ka thënë se tashmë kanë mbërritur disa oferta dhe për lojtarin do të gjendet zgjidhja e duhur.  

Top Channel