Mbështetja e agro-përpunimit

25/07/2014 00:00

Nga 14 mijë aplikime, 1700 është numri i fermerëve, që kanë përfituar nga fondi i qeverisë për subvencionet në bujqësi, e që në total kap shifrën e 1,7 mld lekëve.

“Skemat tona janë pragmatiste, ne nuk mbështesim përpjekjen, por rezultatin, pra në një investim të përfunduar, ai përfiton automatikisht si pagesë direkte një shumë që varion mesatarisht në 15 milionë lekë”, tha ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti tha se këtë vit aplikimet janë rritur me 40%, krahasuar me një vit më parë, ndërsa fondi është sërish larg kërkesave për mbështetje në bujqësi. Panariti shprehu vendosmërinë e qeverisë për të luftuar çdo abuzim me këtë fond, duke ftuar fermerët të denoncojnë në numrin ose email-in e vënë në dispozicion të tyre.

‘I njëjti apel shkon edhe për të gjithë ata burokratë, qofshin ata inspektorë të AKU, të bordeve të kullimit, të drejtorive rajonale, të doganave, që, nëpërmjet presionit që bëjnë me vonesë të procedurave, me vështirësimin e praktikave tuaja të punës, për prodhim edhe për eksport, synojnë të nxjerrin përfitime të pamerituara. Denonconi me guxim, sepse unë nuk do të hezitoj t’i largoj ata nga shërbimi civil.”, tha ministri Edmond Panariti.

Top Channel