Vjedhja e bankës së shtetit

25/07/2014 00:00

Ekspertët thonë se skandali i vjedhjes së parave cënon rëndë imazhin e Bankës Qendrore dhe hedh dyshime për mënyrën se si menaxhohet institucioni, që qeveris sistemin financiar të vendit.

“Kjo tregon se ka probleme serioze në menaxhimin e brendshëm, mospërmbushje të detyrimeve nga këshilli mbikqyrës dhe, në të njëjtën kohë, pasaktësi në aktet rregullative, sepse çdo vit bëhet bilanci dhe inventari fizik, si çdo institucion tjetër publik që shoqëron miratimin e bilancit dhe tregon që këto akte janë kryer vetëm formalisht dhe mund të ketë edhe skandale të tjera, që nuk i di publiku”, u shpreh Zef Preçi.

Bilancet e Bankës së Shqipërisë mbikqyren dhe çertifikohen nga një kompani audituese, që është kontraktuar nga vetë banka. Zef Preçi thotë se kjo duhet të ndryshojë, pasi lë shteg për abuzime dhe konflikt interesi.

“Ndoshta është rasti që Kuvendi i Shqipërisë, jo vetëm të përfshijë më gjerësisht agjencitë e ngarkuara me ligj për kontrolle, siç është KLSH, por të ndryshojë edhe rekomandimet sa i përket problemeve të auditimit të këtij institucioni dhe instrumente të tjera të ngjashme. Nga ana tjetër është momenti të shihet shkalla e konfliktit të interesave brenda këtyre institucioneve”, shton më tej zoti Preçi.

Por, sipas tij, paralelisht Kuvendi duhet të ndërmarrë edhe një sërë nismash të tjera ligjore, për ta rikthyer pavarësinë e Bankës së Shqipërisë brenda shinave të ligjit.

“Rishikimi i pavarësisë sa i takon prokurimeve, pagave, numrit të punonjësve dhe marrjes së tyre, efektivitetit të përdorimit të mjeteve në dispozicion. Mendoj se mund të kontribuonte në evitimin e skandaleve të tilla në periudhat e ardhshme. Pavarësia është nga qeveria, apo nga institucionet e tjera sa i takon politikbërjes apo hartimin e akteve që rregullojnë funksionimin e sistemit bankar, por kurrsesi nuk është pavarësi nga ligji”, theksoi Zef Preçi.

Dy punonjës në sektorin e parave stok, për disa vite me radhë kanë vjedhur nga stoku i parave të reja dhe atyre që asgjesoheshin mbi 6 milionë dollarë. Por, hetimet vazhdojnë të zbulojnë shifra të tjera, që mund të jenë edhe më të mëdha.

Top Channel