Paditet penalisht Ndrea Prendi

25/07/2014 00:00

Ministria e Brendshme paditi në Prokurorinë e Tiranës ish-komandantët e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe Artan Hoxha. Të paditur janë edhe dy punonjës të tjerë të Gardës.

Padia është bërë sepse nga verifikimet e kryera nga Auditi i Ministrisë së Punëve të Brendeshme pranë Gardës së Republikës rezultoi se punonjësja Shqipe Spahiu ka përfituar padrejtësisht pagë dhe trajtime të tjera që rrjedhin nga paga në periudha të ndryshme, nga viti 2010 deri në vitin 2013.

Për këtë periudhë janë bërë verifikime dhe Spahiu, që mbante detyrën e shefes së Zyrës së Burimeve Njerëzorë në Gardën e Republikës, nuk ka qenë fare në Shqipëri. Por, sipas list-prezencës dhe list-pagesës së bankës, rezulton që ajo të ketë përfituar pagat.

Për këtë arsye u kallëzuan penalisht pranë Prokurorisë së Tiranës, për konsumim të elementëve të veprës penale “shpërdorim detyre” dhe “përfitim përmes mashtrimit”: ish-komandantët Ndrea Prendi dhe Artan Hoxha; Vojsi Bendaj, specialist për Gadishmëri në Njësi dhe përgjegjës për Pikat Autonome; dhe Shqipe Spahiu, ish-shefe e sektorit të Burimeve Njerëzore.

Top Channel