Krimi i trefishtë brenda familjes

25/07/2014 00:00

Dyshimet dhe xhelozia duket se kanë qenë shkaqet e krimit makabër të regjistruar mbrëmjen e së enjtes në Korçë, ku babai vrau bashkëshorten, fëmijën e tij dhe më pas veten.

Një ditë pas vrasjes trupi i pajetë i Edmond Fiqit është tërhequr nga familjarët e tij, ndërsa trupi i bashkëshortes Albina është nisur drejt Durrësit me kërkesë të familjarëve, ndërkohë që pritet të meret edhe trupi i foshnjës.

Në banesën e rrethuar nga policia është e pamundur të hysh, ndërsa fqinjët dëshmojnë momentin kur panë atë që kishte ndodhur dhe sinjalizuan policinë.

“Atij iu mbush mendja. Ishte fiksimi i tij dhe e bëri. I mori të tëra parasysh. Që kur lindi fëmija ai kishte shumë fërkime në familje. Ai nuk hapej dot as me vëllezërit derisa u mbush kupa dhe bëri atë që bëri”, tregon Fatmira Fiqi, kunata e autorit.

Familjarët pohojnë se Edmond Fiqi ka pasur konflikte me bashkëshorten e tij prej momentit kur lindi fëmija.

“Xheloz nuk ishte, fanatik jo. Vetëm nga e shoqja erdhën këto probleme. Sepse kur gruaja nuk e do burrin, çdo të bënte ai? Që kur u lind djali marrëdhëniet u acaruan edhe më shumë”, thotë më tej Fatmira Fiqi, bashkëshorte e një prej vëllezërve të viktimës.

Edmond Fiqi mbrëmjen e së enjtes qëlloi me armë zjarri automatike bashkëshorten e tij, djalin 5-muajsh dhe më pas vrau edhe veten. Shkak i ngjarjes ishin dyshimet e tij për atësinë e fëmijës së lindur më 4 shkurt të këtij viti.

Top Channel