Indi, dhunohet dhe varet 8-vjeçarja

25/07/2014 00:00

Një vajzë 8-vjeçare është dhunuar dhe më pas varur në një pemë në një fshat në Bengalanë Perëndimore, shteti indian me kryeqytet Kalkutën.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat indiane, sipas të cilave pas ngjarjes tre personat e dyshuar si autorë të dhunës janë bllokuar nga turma dhe janë rrahur.

Një prej tyre ka vdekur në spital. Ngjarja makabre ka kujtuar tragjedinë e dy kushërirave 14 dhe 15 vjeçe, që në fund të muajit maj u gjetën të varura në një pemë në shtetin Utar Pradesh.

Nga sa raportohet, vajza ishte zhdukur ditën e enjte pasi kishte dalë nga shtëpia për të blerë oriz për darkën. Prindërit dhanë menjëherë alarmin dhe filluan kërkimet, në veçanti pranë një pusi ku mendohej se ajo kishte rënë.

Por vajza u gjet një ditë më vonë rreth 200 metra larg shtëpisë së saj, e varur me rrip në një degë peme. Trupi i saj kishte shumë plagë dhe mes të tjerash shenjat e një dhune seksuale.

Familjarët dyshuan tek një guru i fshatit dhe shkuan ta kërkonin në banesën e tij. Personi dhe dy bashkëpunëtorët ishin gati të arratiseshin, por u ndaluan nga turma dhe u rrahën derisa mbërritën forcat e rendit.

Përgjegjësi kryesor vdiq në spital për shkak të plagëve të marra. Sipas disa burimeve, familja e viktimës ishte përfshirë në një konflikt pronësie dhe vogëlushja mund të ketë qenë viktimë e ndonjë hakmarrjeje.

Top Channel