Gjosha: Statusi, arritja më e madhe

24/07/2014 00:00

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha prezantoi ato që ministria që ajo drejton ka arritur gjatë 300 ditëve të para të qeverisjes.

“Ka qenë një punë e madhe që është bërë nga Ministria e Integrimit Evropian gjatë gjithë këtyre muajve dhe sigurisht që marrja e statusit të vendit kandidat ishte arritja jonë më e madhe. Por unë dua të ndalem tek ajo që duhet të bëjmë në 300 ditët e ardhshme, pasi që të vazhdojë procesi i integrimit evropian ne duhet të vazhdojmë me reformat, përmbushjen e 5 prioriteteve në mënyrë që të hapim sa më shpejt negociatat, duke avancuar edhe më shumë në axhendën tonë evropiane”, deklaroi Gjosha.

Duke u ndalur tek menaxhimi i fondeve që Bashkimi Evropian i ka besuar Shqipërisë, ministrja Gjosha nënvizoi se ky vlerësim duhet justifikuar duke zbatuar projekte të mirëmenduara dhe me një qasje sektoriale sipas prioriteteve që ka qeveria.

Ndërsa zv.kryeministri Niko Peleshi theksoi se qeveria e Aleancës për një Shqipëri Evropiane solli një qasje krejt të re ndaj integrimit, duke dhënë prova të angazhimit e seriozitetit për të ndryshuar Shqipërinë e për të ndryshuar kësisoj edhe perceptimin e Shqipërisë tek skeptikët ndër vendet anëtare, ku rezistenca nuk ishte e vogël.

Top Channel