Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pezullimin e vendimit të zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit duket se ka tensionuar liderët e koalicionit LDK-AAK-Nisma.

Pas një takimi të enjten, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj përçuan mesazhin se nuk do të ndërrojnë rrugën e nisur pavarësisht situatave dhe do të jenë të bashkuar deri në fund.

Haradinaj, i nominuari për kryeministër, akuzoi kreun e PDK-së Hashim Thaçi për uzurpim të institucioneve duke mbajtur peng funksionimin e shtetit, ndërsa në këtë valle sipas tij nuk duhet të hyjë edhe Gjykata Kushtetutese.

“Çdo pengesë që mundohet të vendoset në këtë drejtim ka zgjidhjen e vetë. Pra, zgjidhja buron nga dy të tretat e deputetëve të zgjedhur që kanë dhënë betimin”, deklaroi Haradinaj.

Edhe kryeparlamentari i pezulluar, Isa Mustafa bëri thirrje që të mos luhet, siç tha ai, me votat e shumicës së deputeteve. Mustafa tha se në takim diskutuan për hapat e ardhshëm në krijimin e qeverisë Haradinaj, por pa treguar se për çfarë hapash bëhet fjalë.

“Gjykata mund të marrë çfarëdo vendimi, mirëpo deputetët janë ata që përfundimisht do të vendosin dhe kanë vendosur për këtë vend”, tha ai.

Kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ndërkaq mohoi zërat lidhur mbi përçarjen e mundshme të koalicionit dhe bashkimit me PDK-në.

“Një gjë duhet ta kenë të qartë të gjithë, ky koalicion do të shkojë deri në fund. Pavarësisht varianteve, pavarësisht ideve, pavarësisht shpresave, ky koalicion do të shkojë deri në fund dhe do të ndërtojë institucionet e Kosovës”, tha Limaj.

Takimi i tre liderëve u zhvillua në ambientet e grupit parlamentar të LDK-së, në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Top Channel