Trajnimi për kontrollin e sëmundshmërisë

24/07/2014 00:00

Ka nisur trajnimi i mjekëve dhe punonjësve shëndetësorë për rrethet Lezhë, Gjirokastër, Shkodër dhe Kukës, për fillimin e “Check-Up”-eve të moshës 40-65 vjeç.

Tashmë, mjeku i familjes, i cili është në qendër të kësaj nisme, bashkë me infermierët, do të kenë në dorë një manual, se si do të veprohet për analizat dhe kontrollin e sëmundshmërisë në këtë grupmoshë.

Janë rreth 900 mijë vetë, të cilëve do t’u bëhen analizat për sëmundjet të tilla, si tension, diabet apo të tjera, të cilat deri më tani janë diagnostikuar vonë, në një kohë që avancimi i tyre mund të parandalohet.

“Duke pasur, nga njëra anë, objektivin madhor të mbulimit universal, dhe nga ana tjetër edhe profilin e plotë, do të jemi në gjendje të programojmë politika afatmesme dhe afatgjata që të jenë të qëndrueshme, sepse me këtë synim dhe me këtë gjendje të shëndetit, si duhet t’i orientojmë investimet në njerëz, në dije, në mjedise pune dhe në pajisje”, u shpreh ministri Ilir Beqaj.

Ministri i Shëndetësisë kërkoi angazhim maksimal në këtë proces, i cili do të japë një pasqyrë të detajuar të sëmundshmërisë së popullatës në vend.

Top Channel