Drejtësia, PD thërret Arvizun

24/07/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkrahin qëndrimin e Bashkimit Europian se reforma në drejtësi duhet të jetë gjithëpërfshirëse, e plotë dhe në konsultim me të gjithë aktorët.

Në mënyrë që të jetë e tillë, ambasadaori amerikan Alexander Arvizu thotë se Partia Demokratike duhet të jetë në Parlament dhe këto pikëpamje ai ia ka shprehur në një takim tre prej deputetëve juristë demokratë, Eduart Halimi, Arben Ristan dhe Oerd Bylykbashi.

PD i ka kërkuar qeverisë të tërheqë mbështetjen për nismën e deputetëve të saj, që ndërhyn në ligjin për KLD-në dhe të ndjekë sugjerimin e Bashkimit Europian që reforma të jetë gjithëpërfshirëse, tërësore dhe në konsultë me të gjithë aktorët.

Qëndrimi i BE, të cilit iu referua amasadori amerikan, është se drafti i deputetëve socialistë duhet të jetë pjesë e kornizës tërësore të reformës, që duhet të udhëhiqet nga Komisioni i Venecias.

“Është pikëpamja e SHBA se qasja më efektive është ajo më gjithëpërfshirësja, më e matura dhe e kujdesshmja, ku njerëzit marrin kohën e duhur dhe rruga më e mirë do të ishte pjesëmarrja e plotë në Parlament, në mënyrë që të ketë një konsultim të plotë dhe tërësor me të gjithë aktorët. Kjo përfshin aktorët e brendshëm, por dhe ata ndërkombëtarë, si për shembull Komisioni i Venecias, misionin Euralius, OSBE, etj. Pozicioni ynë është shumë i ngjashëm me atë që ka paraqitur delegacioni i Bashkimit Europian, sikurse edhe prezenca e OSBE-së”, deklaroi Arvizu.

Ambasadori tha se edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, që po diskutohet aq shumë sot, duhet të jetë pjesë e kësaj reforme. I pyetur nga Top Channel nëse mazhoranca duhet apo jo të miratojë nismën e disa deputetëve socialistë që ndërhyjnë në ligjin e KLD-së, ambasadori amerikan nuk dha një përgjigje me “po” apo me “jo”, por iu referua sërish konceptit të gjithëpërfshirjes.

“Këndvështrimi ynë, duke patur parasysh sfidat me të cilat përballet sistemi gjyqësor këtu, është se qasja më efektive do të ishte ajo me natyrën më gjithëpërfshirëse dhe e tillë që merr parasysh të gjithë elementët e ndryshëm. Nuk është diçka që mund të zgjidhet brenda natës. Kjo do të marrë kohë dhe do të duhet të ketë përpjekje të kujdesshshme, të bashkërenduara dhe të sinqerta nga të gjitha palët. Kjo është e vetmja mënyrë sesi duhet të vazhdojë”, deklaroi Arvizu.

PD ka gjasa të rikthehet në Parlament në shtator, kur nis edhe sesioni i ri parlamentar dhe kur nis edhe reforma në drejtësi, për të cilën kjo parti po përgatit një projekt të vetin.

Top Channel