Rrënojat e avionit gjenden në Mali

24/07/2014 00:00

E cilësuar si tragjedia e trete ajrore brenda javës, rrënojat e avionit algjerian, i cili u zhduk të enjten në mesditë, u gjetën pas disa orësh në shtetin e Malit.

Lajmi u konfirmua nga Presidenti i Malit Ibrahim Keita, i cili tha se pjesët e avionit janë gjetur në një zonë veriore të shkretëtirës, por nuk ka dhe më shumë detaje.

Linja ajrore kombëtare e Algjerisë, raportoi se kishte humbur kontaktet me një nga avionët e saj, i cili fluturonte nga Burkina Faso në Algjer.

Fluturimi 5017, me 110 pasagjerë dhe gjashtë pjesëtare të ekuipazhit mendohet se ka ndryshuar kurs  për shkak të një stuhie të fuqishme të motit.

Gjatë ditës u raportua se në bordin e avionit algjerian ndodhej edhe Mariela Castro, vajza e udhëheqësit të Kubes, Raul Castro. Por ishte vetë Mariela, e cila konfirmoi se ishte shëndoshe e mire dhe ndodhej në Havana.

Ndërkohë për shkak të fatkeqësive të mëdha të njëpasnjëshme ajrore, shumë aeroporte në gjithë botën kanë shtuar masat e  sigurisë. Por kjo nuk është tragjedia e parë ajrore e Algjerisë. Shkurtin e këtij viti, Algjeria përjetoi një tjetër fatkeqësi, kur një avion ushtarak C-130 me 78 persona në bord u përplas në një rajon malor, ku shumica e udhëtareve humbën jetën.

Ndërsa katastrofa më e madhe e aviacionit civil të vendit është ajo e marsit të vitit 2003, kur motori i një avioni i po të njëjtës linjë ajrore, mori flakë dhe u rrëzua, i mori jetën 102 personave.

Top Channel