U dënua se braktisi fenë, fluturon drejt Italisë

24/07/2014 00:00

Gruaja sudaneze, së cilës iu kursye jeta pas dënimit me vdekje, të dhënë për shkak se hoqi dorë nga Islami, është nisur drejt Italisë, pas një muaji të kaluar në Ambasadën amerikane në Kartum.

Meriam Yahia Ibrahimit dhe familjes së saj iu vu në dispozicion një avion nga qeveria italiane, ku i shoqëronte edhe zv/ministri italian i Marrëdhënieve me Jashtë, Lapo Pistelli. I ati i gruas është musliman dhe, sipas ligjit islamik në Sudan, ajo ka të njëjtën fe dhe nuk mund ta ndryshojë dot.

Por, Meriami, e rritur nga nëna e vet e krishterë, asnjëherë nuk e ka konsideruar veten muslimane. Bashkëshorti i saj, Daniel Wani, gjithashtu i krishterë, është nga Sudani i Jugut, teksa ka edhe nënshtetësi amerikane.

Vajza e tyre, Maya, është lindur në Maj në ambientet e burgut, vetëm pak pasi Meriami ishte dënuar me vdekje për braktisjen e fesë, duke nxitur irritim global. Vetëm nën presionin intensiv ndërkombëtar, dënimi i saj u kthye mbrapsht dhe ajo u lirua në Qershor.

Asaj iu dhanë dokumente udhëtimi nga Sudani Jugor, por u arrestua në aeroportin e Kartumit, pasi akuzohej për përdorim të dokumenteve të rreme të identitetit.

Top Channel