Nxitja e ndërmarrjeve bujqësore

24/07/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama tha se skemat e reja të mbështetjes për bujqësinë synojnë nxitjen e sipërmarrjes, si një mënyrë për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm të sektorit në të ardhmen.

“Duam të nxisim sipërmarrjet, jo bazuar tek ideologjia e lëmoshës, por te vlera që krijon vlerë. Prandaj rritëm me 70% fondin për bujqësore dhe nga ana tjetër u kërkuam fermerëve të aplikojnë me projekte, ku kriteri bazë nuk është ‘urdhëro paratë, bëj këtë’, por ‘çfarë do të sjellë kjo në të ardhmen’”, tha kryeministri Edi Rama.

Duke mbështetur pikat e grumbullimit, ku fermerët dorëzojnë prodhimin kundrejt pajisjes me auto-faturë, qeveria thotë se synon formalizimin e sektorit. Për ministrin Edmond Panariti, shenjat e para të rimëkëmbjes janë rritja e eksporteve.

“Na rezulton të kemi një hov të jashtëzakonshëm të eksporteve në tërësi, gjatë pesë muajve të parë të vitit, në masën 28%, por është një zë i veçantë ndër sektorët, ai i perimeve të freskëta dhe frutave, që është rritur ndjeshëm me 53%”, tha ministri Edmond Panariti.

Profesori i Qendrës për Zhvillimet Ndërkombëtare në “Harvard Kennedy School”, Ricardo Hausmann, tha se Shqipëria ka të gjithë potencialin për të zhvilluar bujqësinë, por për këtë nevojitet strategji.

“U mahnita që 70% e tregut të sherebelës në Shtetet e Bashkuara importohet nga Shqipëria. Mund të jetë e njohur për ju, por për mua përbën lajm. Kjo tregon se vendi juaj mund të ketë edhe 10% të tregut ndërkombëtar për domaten, ndërkohë që aktualisht nuk ka as 1%. Fakti që sherebela ka qenë e suksesshme, tregon që në Shqipëri gjërat janë të mundura dhe që ky sukses mund të shtrihet edhe në sektorë të tjerë të bujqësisë”, tha Ricardo Hausmann.

Top Channel