SHBA, dështon një tjetër ekzekutim me vdekje

24/07/2014 00:00

Joseph Wood, i cili ishte dënuar me vdekje është ekzekutuar në Arizona, por injeksioni nuk ka shkuar si duhet, pasi u deshën rreth dy orë që viktima të ndërronte jetë.

Avokatët e Wood, i cili ishte autor i një vrasje të dyfishtë paraqitën një ankesë urgjente. Ata argumentuan se procesi i zgjatur i ekzekutimit prej, rreth 2 orë, ka shkelur të drejtat e klientit të tyre. Avokatët deklaruan se ekzekutimi me injeksion nuk duhet të zgjaste më shumë se 10 minuta.   

Wood ishte dënuar që në vitin 1989 për vrasjen e të dashurës së tij, si edhe të babait të saj. Ai kishte kërkuar që të bëheshin të ditura emrat e medikamenteve që do të përdoreshin në injeksionin vdekjeprurës, por autoritetet nuk reaguan, duke kryer ekzekutimin e tij.

Gjatë vitit, zyrtarët në Arizona i kishin thënë avokatëve të Joseph Wood se do të përdorej një kombinim, midazolam dhe hydromorphone, për ekzekutimin. Por ata nuk pranuan të identifikonin emrin e prodhuesit të injeksionit, duke u justifikuar me ligjin e ruajtjes së sekretit shtetëror, që ka për qëllim ruajtjen e emrit të krijuesit të drogës nga masat ndëshkimore.

Top Channel