Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka ftuar të gjithë spektrin politik në vend që të kenë durim dhe të presin përfundimin e procesit që po trajtohet nga Gjykata Kushtetuese, për të vazhduar pastaj me formimin e institucioneve të reja të vendit.

“Tani që kemi edhe opinionin e Gjykatës Kushtetuese, pas kërkesës së Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Jahjaga, kemi pasur edhe veprime të tjera të cilat gjithashtu janë duke u shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Mendoj se është një proces normal, një proces transparent, i përgjegjshëm, në suazat e zhvillimit të demokracisë, e në të njëjtën kohë ftoj të gjithë për durim, mirëkuptim dhe besim në institucionet e pavarura të Republikës së Kosovës”, thotë Thaçi.

Në mbledhjen e qeverisë u vendos që të ndahen 1 milionë euro për fëmijët e sëmurë me leuçemi dhe kancer si dhe rreth 1 milionë euro për t’ju dalë në ndihmë ish-pjesëtarëve të UÇK-së në rregullimin e protezave dhe shërimin e tyre.

“Një pikë tjetër shtesë për të ndarë mjetet për shërim të fëmijëve të cilët vuajnë nga kanceri, leukemia dhe sëmundje të ngjashme. Kisha propozuar që të ndajmë sot shumën prej 1 milionë euro për qëllim të mbulimit të shpenzimeve për shërimin e tyre”, deklaroi Ministri i Financave, Besim Beqaj.

Në këtë mbledhje po ashtu është vendosur për vazhdimin e mandatit tre-vjeçar për 9 sekretarët e përgjithshëm të ministrive si dhe për 5 poste të tjera të larta.

Top Channel