Rrëzohet një tjetër avion me pasagjerë

23/07/2014 00:00

Pa kaluar mirë pasojat e tragjedisë ajrore në Ukrainë, një tjetër avion pasagjerësh është përplasur me tokën pasi dështoi të kryente një ulje emergjente në Tajvan, duke vrarë mbi 40 persona.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare, të cilat citojnë autoritetet lokale.

Fluturimi i linjës ajrore të brendshme TransAsia Airways u rrëzua në afërsi të aeroportit të Magongut, në ishullin Penghu, raportojnë burimet.

Në të ndodheshin në total 54 pasagjerë dhe 4 anëtarë të ekuipazhit, bën të ditur agjencia tajvaneze e lajmeve “CNA”.

Autoritetet lokale të aviacionit, të cituara nga media në fjalë, deklarojnë se avioni u tërhoq nga manovra fillestare e uljes në pistë dhe më pas u përplas në tokë.

Aktualisht druhet se 51 persona kanë vdekur dhe shtatë të tjerë janë të plagosur, vijon raportimin agjencia “CNA”. Zjarrfikësit dhe personeli tjetër i skuadrave të emergjencave po përpiqen për të shpëtuar personat në bord.

Avioni nuk arriti dot pistën e aeroportit dhe u rrëzua në afërsi të tij, pasi kishte humbur pak momente më parë kontaktet me radarët. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes, të cituar nga BBC, flasin për një zjarr të madh që vjen nga vendi i përplasjes.

Më herët gjatë së mërkurës, Tajvani u përfshi nga erëra të forta dhe shira të shkaktuara nga stuhija tropikale Matmo. Tajfuni Matmo kishte shkaktuar gjithashtu anulimin e shumë fluturimeve, por situata u zhbllokua rreth orës 17:30 me orën lokale, thuajse në të njëjtën kohë që avioni u nis.

Top Channel