Gjykata Kushtetuese në Kosovë rrëzoi vendimin e 17 korrikut të mbledhjes së parë të Kuvendit të ri të Kosovës që shpalli kryetar Isa Mustafën.

Kreu i LDK u zgjodh kryetar me 83 vota pro në bazë të një marrëveshjeje mes LDK-së, AAK-së, Nismës dhe Vetëvendosjes.

Vendimi i Gjykatës Kushtetutese është Masë e Përkohëshme e marrë deri në momentin e daljes me një vendim përfundimtar dhe me argumentimin e tij.

Kërkesa për interpretimin e seancës së parë të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 8 qershorit mbërriti në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike që e cilësoi një shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe të rregullores së Kuvendit.

PDK doli partia e parë në zgjedhjet e qershorit, por pa mundur që të sigurojë shumicën e nevojshme për krijimin e qeverisë së re, ndërkohë që pas rezultateve blloku opozitar LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje ranë dakort për të qeverisur së bashku.

Këto zhvillime kanë shkaktuar një ngërç institucional në Kosovë, ku edhe më herët është kërkuar ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese dhe interpretimi i saj, si në rastin se kush ka të drejtë të mandatojë kryeministrin e ri.

Mustafa respekton vendimin

Isa Mustafa pezullon të gjitha aktivitetet në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Ky vendim u mor si reagim pasi Gjykata Kushtetutese pezulloi vendimin e zgjedhjes së tij në krye të këtij institucioni. Nëpërmjet një komunikate për media të lëshuar nga Kuvendi i Kosovës thuhet po kështu se konform këtij vendimi z. Mustafa nuk do të shfrytëzojë asnjë aset të Kuvendit të Kosovës deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Masën e përkohshme të Gjykatës Kushtetuese e ka pranuar edhe koalicioni LDK- AAK-Nisma. Në një komunikatë të vecantë thuhet se koalicioni respekton këtë akt të Gjykatës Kushtetuese dhe pret nga ajo që të dëshmojë profesionalizëm dhe paanshmëri në vendimin final.

“Koalicioni LDK-AAK-Nisma është i bindur se vendimi i 83 deputëteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës e reflekton masën dërmuese të populit të Kosovës dhe pret që ky vullnet të njihet nga të gjitha institucionet Kushtetuese”, thuhet ne deklaratë.

Koalicioni LDK-AAK-Nisma së bashku me partnerët e tjerë do të punojnë për funksionalizimin sa më të shpejtë të të gjitha institucioneve të vendit”, përfundon komunikata.

Top Channel