Edhe Athina ankohet për ndarjen e re

23/07/2014 00:00

Athina zyrtare bën publik shqetësimin për reformën territoriale, shqetësim që Ministria e Jashtme greke zbulon se ia ka përcjellë autoriteteve shqiptare që prej datës 10 qershor, kur më shumë se një muaj më parë, sipas saj, ka nisur letërkëmbimi mes dy krerëve të Ministrive të Jashtme, asaj greke dhe asaj shqiptare për këtë çështje.

Komunikimi mes dy ministrive ka kulmuar me telefonatën që Ministri i Jashtëm grek Evangelos Venizelos i ka bërë homologut të tij shqiptar Ditmir Bushati, pikërisht në ditën kur drafti përfundimtar i reformës territoriale ka marrë miratimin nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Territoriale.  

Sipas komunikatës për shtyp të Ministrisë së Jashtme greke, në bisedën telefonike që patën dy zyrtarët e lartë, Venizelos ka theksuar se çështja e ndarjes territoriale në Shqipëri dhe reagimet e komunitetit grek përbëjnë një çështje delikate dhe tepër të ndjeshme për Athinën zyrtare. Njoftimi zyrtar i ministrisë greke thotë se Venizelos i ka kujtuar homologut shqiptar se mes dy vendeve ka një sërë temash të hapura.

“Zgjidhja e tyre duhet të përparojë, pa qenë nevoja e shtimit të çështjeve të tjera në marrëdhëniet ndërmjet fqinjëve”,  citohet të ketë thënë Ministri i Jashtëm grek. Më tej në komunikatë thuhet se Tiranës i është bërë e ditur se tani që Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian do të duhet që vendi të plotësojë një sërë detyrash, ku e drejta europiane duhet të mbizotërojë dhe të plotësohen kriteret e Kopenhagenit, përfundon deklarata për shtyp e Ministrisë së Jashtme greke.

Tirana: Reforma, çështje e brendshme
“Himara është trajtuar si çdo njësi tjetër vendore e Shqipërisë”

Burime të Top Channel konfirmojnë se në bisedën telefonike mes Bushatit dhe Venizellos është folur për çështje të karakterit dy-paleëh, ndër to edhe reforma territoriale.

Burimet konfirmojnë se interesimit të palës greke mbi përmbajtjen e kësaj reforme Ministri Bushati i’u përgjigj se kjo është një çështje e brendshme. Është një reformë e rëndësishme dhe e nevojshme që është diskutuar gjatë në Kuvendin e Shqipërisë dhe është trajtuar nga një komision i posaçëm parlamentar, mësohet t’i ketë thënë Bushati homologut grek.

Për një nga çështjet që me sa duket ka qenë shqetësimi i Athinës, atë të Himarës, mësohet se Ministri Bushati i është përgjigjur Venizellos se Himara është një nga njësitë funksionale të vendit dhe do të trajtohet njësoj si gjithë njësitë e tjera të vendit.

Reforma territoriale siguron funksionalitetin, gëzon mbështetjen e banorëve të zonës dhe për hartimin e saj janë marrë në konsideratë sugjerimet e grupeve të interesit, është përgjigjur ndër të tjera ministri Bushati gjatë telefonatës me Venizellos.

Ministri yne i jashtëm gjithashtu i ka siguruar homologut grek se reforma territoriale është plotësisht e përputhur me konventat ndërkombëtare, pasi ajo është e asistuar me ekspertizën teknike dhe financiare te tyre.
 

Top Channel