“Në Gaza, ndoshta edhe krime lufte”

23/07/2014 00:00

Zyrtarja më e lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut i dënoi ashpër veprimet ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës, duke pohuar se në këtë territor mund të jenë kryer krime lufte.

Në një takim të jashtëzakonshëm në Gjenevë, Navi Pillay tha se gjatë ofensivës së shtetit hebre nuk është bërë sa duhet për mbrojtjen e civilëve. Kryekomisionerja nuk ngurroi të kritikonte edhe Hamasin për sulmet e tij pa dallim, mbi qytetet izraelite.

“Situata në Gaza kërkon vëmendje urgjente, pasi ka gjasa të mëdha që ligji ndërkombëtar të jetë shkelur në një mënyrë të tillë, që mbërrin deri në krime lufte. Të gjitha pretendimet për abuzime me të drejtat e njeriut duhen hetuar me kujdes e në mënyrë të pavarur”, tha Navi Pillay, komisionere e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Izraeli e nisi ofensivën në Gaza më 8 Korrik, me objektivin e qartë të ndalonte lëshimin e raketave të militantëve të Hamasit prej andej. Megjithatë, shteti hebre, që pretendon se Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut është i anshëm, vështirë se do të bashkëpunojë me hetuesit e autorizuar të Kombeve të Bashkuara.

Përgjatë 15 ditë luftimesh janë vrarë 649 palestinezë e 31 izraelitë, e sulmet kanë vazhduar nga të dyja krahët, edhe përgjatë mbrëmjes së të martës, duke lënë të kuptohet se spiralja e dhunës në zonë është ende larg fundit.

Top Channel