“Shkëputëm krimin nga policia”

23/07/2014 00:00

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri e nisi prezantimin e punës së dikasterit që drejton për këto 300 ditë me tre raste të filmuara nga kamerat e vendosura në makinat e patrullave.

Tahiri vlerësoi bashkëpunimin me qytetarët duke e quajtur atë rikthim të besimit dhe shpresës në Policinë e Shtetit.

“Në 300 ditë janë 128 mijë telefonata të qytetarëve tek 129, 18 mijë më shumë se një vit më parë. Janë 56 mijë konfliktet e zgjidhura nga policia, 28 mijë më shumë se një vit më parë. Gjithashtu, 435 për qind më shumë është marijuana e sekuestruar. Ndërkohë, është rritur arrestimi i funksionarëve publikë, që deri dje ishin të paprekshëm”, deklaroi Tahiri.

Si prioritet të 300 ditëve të ardhshme Tahiri vendosi policimin në komunitet, vijimin e dixhitalizimit të policisë, rritjen e pagave për uniformat blu dhe ndëshkimin e çdo afere korruptive brenda policisë.

Këto 300 ditë tha kryeministri Edi Rama me plot gojën mund të themi se tashmë kemi një polici në krye të detyrës. Rama që në fillim e vuri theksin në edukimin e efektivëve të policisë, pasi sipas tij kështu do të eleminohet fenomeni i ndodhur me gjyqtarët e shkolluar në kursin e plepave.

“Nuk është kjo çështje kursesh 3 apo 6-mujore. Ne nuk duam të bëjmë policinë e plepave. Gjykatën e plepave e kemi që përpara dy dekadave dhe sot jemi katandisur nën plep. Ç’siguri do presim ne nga një polici plepash? Duhet të ndërtojmë universitetin e sigurisë. Shkollën e lartë të Policisë së Shtetit me të gjitha standarded, bazuar në eksperiencat më të mira shqiptare”, theksoi Rama.

Pavarësisht rezultatave të deritanishme, Rama u shpreh se jemi larg asaj që duam dhe se duhet të krahasohemi vetëm me ambicjet tona dhe jo krahasimin e shifrave me ato të së shkuarës. Rama e vuri thekesin tek lufta kundër korrupsionit brenda vetë policisë.

“Një polici shteti që nuk lufton me fakte e rezultate korrupsionin brenda saj s’mund të garantojë ambicjen tonë për policinë. Këtu ne do të jemi këmbëngulës deri në fund. Çdo drejtor duhet të provojë se është në krye të luftës kundër korrupsionit në drejtorinë e vetë. Kush nuk e bën këtë nuk ka pse të jetë më në krye të drejtorisë”, shtoi Rama.

Top Channel