Prodhimet bujqësore në zonën e Dumresë janë dëmtuar rëndë nga reshjet e dendura të shiut dhe breshërit të rëna pasditen e djeshme.

Sipas banorëve, breshëri i rënë nuk ishte parë asnjëherë në këtë zonë, të paktën sa mbajnë mend të moshuarit.

Reshjet e breshërit kanë dëmtuar një sipërfaqe prej 150 hektarë toke bujqësore duke dëmtuar të mbjellat, dru frutorë dhe serat me të gjithë bazën materiale. Trashësia e tij në këtë zonë i ka kaluar 5 cm.

Fermerët bëjnë thirrje për ndihmë dhe sipas tyre dëmet llogariten në miliona lekë: “Breshësi ka shkaktuar dëmtime tek rrushi, duhani dhe perimet. Kërkojmë ndihmë nga shteti, të mendojë për ne. Tërmeti ra dhe nuk morëm asnjë dëmshpërblim. Tani na ra dhe ky breshër.”

Zona e Dumresë njihet për kultivimin në masë të duhanit, vreshtarisë, fidanët dhe drutë frutorë. Bujqësia është e vetmja mënyrë jetese pas emigracionit për banorët e kësaj zone.

Për të evidentuar saktë dëmet, Bashkia e Belshit ka ngritur shtabin e emergjencës i cili u ka kërkuar kryepleqve të evidentojnë dëmet dhe më pas do t’ia dërgojnë Ministrisë së Bujqësisë.

Top Channel