Cani: Shlyem borxhet; reagon PD

23/07/2014 00:00

Kreu i Financave, Shkëlqim Cani, tha se shlyerja e 350 mln dollarëve, borxh i prapambetura ndaj biznesit, pritet të çojë në përmirësim të treguesve ekonomikë, rritje të investimeve dhe konsumit, duke ndikuar kështu në rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

“Gati gjysma e këtij borxhi tashmë është shlyer. Objektivi është që deri në muajin Maj apo Qershor të vitit të ardhshëm të bëjmë të gjithë shlyerjen. Përmirësimi i gjendjes financiare të biznesit përkthehet potencialisht në kreditim nga bankat. Investimi dhe kreditimi do të thonë punësim”, tha Shkëlqim Cani, ministër i Financave.

Ndonëse e cilësoi të suksesshëm 300 ditëshin e parë të qeverisjes, ministri Cani tha se objektiv i rëndësishëm mbetet ulja e borxhit publik, shtimi i efikasitetit të përdorimit të parave publike dhe lufta ndaj korrupsionit, evazionit e kontrabandës.

“Sistemi i ri në tatime duket si revolucion, sepse nuk është thjesht çështje IT, por është një përmbysje edhe e mënyrës së të punuarit në Tatim-Taksa dhe Dogana, pasi kërkohet që, para ligjit, qytetarë e biznese të trajtohen pa asnjë lloj dallimi, ndryshe nga rastet që kanë qenë prezente në të gjithë historinë e financave shqiptare”, tha më tej Shkëlqim Cani.

PD: Financat, suksese imagjinare
Qeveria vazhdon paradën e gjoja-sukseseve

Partia Demokratike i ka cilësuar si “suksese imagjinare” të dhënat e publikuara nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani, mbi situatën ekonomike në vend.

Në një deklaratë për mediat, deputeti, Florion Mima ka parashtruar një seri pyetjesh, përgjigjet e të cilave sipas tij do të ndihmojnë shqiptarët të kuptojnë të vërtetën absolute të gjoja-sukseseve të këtyre 300 ditëve.

“Ndonëse u rritën akcizat për mallra të ndryshëm të luksit, përse gjatë 6-mujorit të parë janë arkëtuar 16% më pak sesa plani dhe asnjë qindarkë më shumë sesa viti i kaluar?

Përse qeveria vazhdon të rimbursojë TVSH-në ndaj bizneseve më pak se gjysma e nivelit të rimbursimeve që kryheshin vitin e kaluar, ku rimbursohej mesatarishit mbi 800 milionë lekë në muaj? Vetëm në muajin qershor është rimbursuar 4 herë më pak sesa mesatarja mujore e qeverisjes se demokratëve.

Përse qeveria nuk ka paguar asnjë qindarkë nga fondi prej 11 milionë dollarë për kompensimin e shtresave në nevojë? Përse qeveria ka paguar 230 milionë dollarë më pak fatura të projekteve të investimeve publike?

Përse kryellogaritari i vendit nuk tha asnjë fjalë për krimin e vjedhjes së të dhënave tatimore dhe përse qeveria e tij refuzon të bëjë transparencën përpara shqiptarëve?”, ka thënë Mima. 

Top Channel