“Hiqni bllokadën ekonomike, fund zaptimit”

23/07/2014 00:00

Përpjekjet për arritjen e një armëpushimi në Gaza vazhdojnë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, i ndodhur në rajon prej dy ditësh, tashmë së bashku me shefin e diplomacisë amerikane, John Kerry, u takua me kreun e ekzekutivit izraelit Benjamin Netanyahu, duke i përcjellë edhe personalisht bindjen e tij, se të dyja palët duhet të ndalin menjëherë luftimet e të diskutojnë mbi shkaqet rrënjësore të problemeve të tyre.

Për numrin një të OKB-së, krahët në konflikt nuk duhet të përdorin dhunën për zgjidhjen e pakënaqësive të tyre. Netanyahu, për të përforcuar pohimet e tij, i tregoi shefit të Kombeve të Bashkuara mbetjet e atyre që, sipas tij, ishin raketa me rreze të gjatë veprimi të përdorura nga militantët e Hamasit në Gaza.

Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, gjetja e një zgjidhjeje për konfliktin disa ditor nuk është e lehtë. Kryenegociatori palestinez, Saeb Erekat, i tha CNN-it se shpreson në fundin e shpejtë të këtij ngërçi, por ministrja izraelite e Drejtësisë, Tzipi Livni, tha ndërkohë për radion izraelite se nuk sheh “dritë në fund të tunelit”.

Duke marrë parasysh se Izraeli po intensifikon ofensivën ushtarake në Rripin e Gazës, kryediplomati amerikan Kerry kujtoi se kriza humanitare po përkeqësohet nga dita në ditë dhe i drejtoi Hamasit një apel, që të pranojë propozimet egjiptiane për një armëpushim.

Për Kerry-n, fundi i vuajtjeve të palestinezëve në Gaza, të cilët po humbasin shtëpitë, aksesin në rezervat ushqimore e ujë të pijshëm, si dhe mënyrën e tyre të jetesës, varet nga lëvizja islamike, e cila duhet të bëjë – sipas tij – një zgjedhje themelore, që do të ketë ndikim të madh për banorët në këtë territor.

Plani i pushimzjarrit ka mbështetje të gjerë rajonale dhe ndërkombëtare, pasi konsiderohet një nismë e plotë që përfshin faktorë, të cilët plotësojnë në mënyrë të mjaftueshme nevojat e të gjitha palëve.

Ndërkohë, kryeministri palestinez, Rami Hamdallah, i qeverisë së re të unitetit mes Hamasit dhe Fatahut, është shprehur pas vizitës nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, se tashmë ka ardhur koha të ndalet “rrethimi” i Gazës.

Heqja e bllokadës ekonomike ndaj Rripit të Gazës duhet të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje të re armëpushimi, ka kërkuar Hamdallah, një kusht ky paraprak që i referohet bllokadës izraelito-egjiptiane, të vendosur që nga viti 2006 (pas vrasjes së ushtarit izraelit Gilad Shalit) e që u forcua në 2007-n, pasi Hamasi rrëzoi Fatahun dhe mori me forcë kontrollin e Gazës.

Hamdallah tha se ka ardhur koha t’i jepet fund vuajtjeve barbare të palestinezëve. “Kërkojmë drejtësi për popullin tonë, i cili çdo ditë, që prej nisjes së pushtimit izraelit, ka qenë subjekt i zaptimit për 47 vite”, tha ai. “Është koha e duhur që këtij agresioni t’i jepet fund, ashtu sikurse edhe bllokadës ekonomike”.

Top Channel