“Shqipëria, nyje Lindje-Perëndim”

22/07/2014 00:00

Nga kulla e kontrollit në aeroportin “Nënë Tereza” kontrollorët e trafikut ajror drejtojnë mesatarisht 60 fluturime në ditë në uljet dhe ngritjet e tyre nga pista e aeroportit të Rinasit.

Por veç kullës së kontrollit janë edhe dy njësi të tjera që monitorojnë trafikun ajror në Shqipëri: Njësia e Mbikalimeve Ajrore, që menaxhon të gjithë trafikun që kalon në hapësirën e Shqipërisë me destinacion vende të ndryshme të botës dhe Njësia e Afrimit, e cila menaxhon trafikun e uljeve dhe ngritjeve nga Shqipëria.  

Frank Brenner, drejtori ekzekutiv i ‘Eurocontrol’, organizatës europiane për Sigurinë e Fluturimeve Ajrore vlerëson rezultatet e ‘Albcontrol’.

“Ne në ‘Eurocontrol’ bëjmë krahasime dhe kontrolle të shumta mes 40 vendeve anëtare. Shqipëria dhe ‘Albcontrol’ kanë të dhëna të shkëlqyera në siguri, gjithashtu dhe në terma ekonomike”.

Brenner shkon më tej, kur thotë se kompania mund të kthehet në një pikë strategjike në rajon . “Unë mendoj se Shqipëria dhe ‘Albcontrol’ kanë mundësi të kthehen në një pikë të fortë në rajon, por edhe në fluturimet mbi hapësirën e saj. ‘Albcontrol’ ka qenë një ndihmues i madh në projektin shumë të ndjeshëm, atë të hapjes së hapësirës ajrore të Kosovës, dhe për këtë e falënderojmë”.

“Nëse shikoni vendosjen gjeografike; nga Irlanda, shteti më perëndimor pjesë e ‘Eurocontrol’, deri në Gjeorgji; Shqipëria është e vendosur në qendër. Unë mendoj që fluturimet mbi hapësirën shqiptare janë një e ardhur shumë e madhe për Shqipërinë dhe ‘Albcontrol’-in. Tërheqja e më shumë trafiku ajror është një gjë shumë pozitive. Tërheqjet turistike janë të shumta në Shqipëri, pra bëhet fjalë vetëm për sigurimin e infrastrukturës së duhur për t’i tërhequr këta turistë dhe udhëtarë të tjerë në Shqipëri, duke u siguruar dhe më shumë lehtësira”, shprehet drejtori ekzekutiv i “Eurocontrol”.

Frank Brenner, drejtori ekzekutiv i “Eurocontrol” ka komentuar dhe tragjedinë e ndodhur pak ditë më parë në Ukrainë, duke vënë theksin te kryerja e një hetimi ndërkombëtar për këtë ngjarje.

Ai shtoi se armë të tilla, të cilat kanë rënë në duar të personave të papërgjegjshëm, janë kthyer në një rrezik për aviacionin civil dhe mirëkupton të gjithë frikën e shfaqur nga udhëtarët ditët e fundit.

Top Channel