Tirana e pazbuluar, vetëm pak kilometra larg

22/07/2014 00:00

Megjithëse mund të duket e vështirë, në të vërtetë, të nxehtit të kryeqytetit është shumë e lehtë t’i shpëtosh. Natyra përreth Tiranës i ofron të gjitha: aventurën, udhëtimet përmes kanioneve, vaska hidromasazhi me ujë burimi, kala për të vizituar dhe shpella për t’u eksploruar.

Brenda ditës mund të kombinosh forma të ndryshme argëtimi. Që nga ecjet e gjata në natyrë, zbulimi i shtigjeve të reja me biçikleta, e deri te guidat me makina jashtë rruge.

Por, jo vetëm kaq. Kush mendon se mund ta humbasë plazhin, sepse nuk do ketë kohë për pushime të gjata, e ka gabim. Lumenjtë e shumtë që rrjedhin rreth e përqark kryeqytetit, përveç freskisë, ofrojnë dhe pamje piktoreske dhe një argëtim ndryshe.

Për ata që preferojnë turizmin kulturor, janë të panumërta kalatë rreth Tiranës: Kalaja e Petrelës, e Prezës, e Dajtit, e Ishmit, e Dorzit, e Ndroqit. Sikundër janë të shumta edhe objektet e kultit, që rrëfejnë histori.

Para se të kërkojmë larg Tiranës për t’iu larguar stresit, rutinës, shumëçka e kemi pranë. Mjafton të hedhim sytë përreth, të organizohemi, madje dhe me buxhet të arsyeshëm dhe të vendosim që çdo fundjavë do të jetë ndryshe!

Panorama e mrekullueshme që shpaloset, shihet nga rruga rurale, e cila vende-vende kalon mbi 1000 metra mbi grykën e malit.

Gryka e ngushtë e Tujanit është e krijuar nga shkëmbinjtë gëlqerorë, ndërsa kanioni i lumit të Brarit veçon Malin e Dajtit nga Mali i Priskës së Vogël, në lartësinë 1241 metra.

Për sa i përket pasurive karstike, ajo është një nga zonat më të pasura të Tiranës me dukuri të tilla, ku edhe ndodhen disa shpella të formuara miliona vite më parë.

Vendi bën pjesë në Komunën e Dajtit dhe shtrihet nga Shkalla e Tujanit në veri-perëndim deri te Qafa e Priskës në jug-lindje, në një gjatësi 8 kilometra dhe gjerësi 5 kilometra. Me gjithë këto mrekulli të natyrës dhe shumë pranë kryeqytetit, guidat turistike nuk përmendin Kanionin e Lumit të Brarit.

Që të flasësh për këtë vend, të quajtur nga vendasit “Shkallët e Tujanit”, e të përmendësh vetëm për bukurinë natyrore, nuk duhet harruar balta karakteristike me ngjyrë të errët (ose ndryshe “Balta e zezë”) për vetitë e saj kuruese mbi lëkurën, e cila vjen së bashku me rrjedhën e lumit të Brarit.

Rruga rurale nuk është në gjendje të mirë, por banorët e kësaj zone nuk janë pesimistë, pasi rruga aktuale ndjek Rrugën e Arbrit dhe thuhet se ajo do jetë ndër rrugët e para, që do t’i kushtohet rëndësi tashmë, pas mbarimit të autostradës veriore Durrës-Kukës, duke lidhur kësisoj qendrën e Shqipërisë me krahinat e tjera veriore.

Top Channel