Mjeku, letër publike presidentit Obama

22/07/2014 00:00

Mbrëmja e kaluar ishte ekstreme. Ofensiva tokësore në Gaza përfundoi me makina të mbushura me njerëz të gjakosur, njerëz që dridheshin, që vdisnin, me çdo lloj të plagosuri të të gjitha moshave, që të gjithë civilë, që të gjithë të pafajshëm.

Heronjtë në ambulancat dhe spitalet e Gazës po punojnë në turne 12 e 24 orëshe, të zverdhur nga lodhja e ngarkesa çnjerëzore. Ata interesohen, përzgjedhin, përpiqen të kuptojnë kaosin e paperceptueshëm të trupave, gjymtyrëve, numrave që ecin e nuk ecin, që marrin frymë e jo, që derdhin gjak. Njerëz! Sot edhe një herë të trajtuar si kafshë nga ushtria më e moralshme e botës.

I gjithë ky paragraf është shkëputur nga letra e hapur, që mjeku norvegjez Mads Gilbert i drejton presidentit amerikan Barack Obama, një thirrje dhimbjeje dhe një apel për ndërgjegjësim.

Respekti im për të plagosurit, në atë vendosmërinë e tyre, që nuk i braktis as në mesin e vuajtjeve, agonisë dhe tronditjes, është i pafund, shkruan mjeku që punon vullnetar në një spital të Gazës.

Dua të ulëras, të shtrëngoj dikë fort, t’i marr erë lëkurës dhe flokëve të një fëmije të ngrohtë të mbuluar në gjak. Më shumë se 100 raste në Shifa, vetëm gjatë 24 orëve të fundit.

Zoti Obama, a keni zemër ju? Ju ftoj, – vazhdon mjeku, – të vini e të kaloni vetëm një natë këtu me ne, në Shifa. I maskuar si pastrues, ndoshta. Jam 100% i bindur se do ta ndryshonte të gjithë historinë.

Lumenjtë e gjakut do të vazhdojnë të derdhen natën që vjen. E dëgjoj se si i kanë ndezur instrumentat e tyre të vdekjes. Të lutem bëj çtë mundesh, sepse kjo nuk mund të vazhdojë, përfundon apeli prekës.

Bashkëpunëtori i doktor Gilberit, në misionin e Gazës, Mohamad Abu Arab, sqaron se kushtet shëndetësore në Gaza mund të përshkruhen si katastrofike e, përpos mungesës së ilaçeve, energjisë elektrike e ujit, ka nevoja të mëdha edhe për salla operacioni, instrumente dhe monitorë.

Top Channel