Deklaratat në Fb, rrëzohet padia ndaj Tahirit

22/07/2014 00:00

Gjykata e Tiranës zbardh vendimin në të cilin argumentohet se përse rrëzoi padinë e ish-ministrit të Brendshëm, Flamur Noka dhe ish-zëvendësminsitrit të Brendshëm Arben Ristani, të cilët pergjatë një beteje gjyqësore kërkuan dëmshpërblim nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri për shkak të një statusi të vendosur prej tij në rrjetin social Facebook.

Për Gjykatën e Tiranës, ky proces ka qenë i rrallë duke qenë se palët pretendonin se ishin dëmtuar nga të shprehurit në FB dhe jo sikurse ka ndodhur më së shumti përgjatë përballjeve gjyqësore mes deputetëve të cilët kanë pretendtuar se ishin dëmtuar nga deklaratat në Parlament.

Bëhet fjalë për një status të hedhur në prill 2013 në profilin e Tahirit, në atë kohë deputet i PS, i cili përmendte një foto mes ministri të Brendshëm Noka dhe zëvendësit të tij me shoferin e Arben Frrokut, ky i fundit i dyshuari kryesor për vrasjen e komisar Dritan Lamaj.

Në statusin e asaj kohe, Tahiri përmendte se ministri Noka kishte detyrim të jepte llogari nëse ishte diskutuar për Arben Frrokun në atë tavolinë, a i kompromentonin hetimet për vrasjen e Lamajt këto takime dhe cila ishte lidhja mes dy zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme me shoferin e Frrokut.

Gjykata civile rrëzon padinë e Nokës dhe Ristanit me argumentin se Facebook është një rrjet social tërësisht i përhapur ku shkëmbehen mesazhe si dhe postohen e merren njoftime.

Por, thote gjykata, për sa kohë politikanët kanë marrë përsipër rolin për t’u ekspozuar në publik, nevojitet një tolerancë më e lartë sesa e një personi të zakonshem, në drejtim të të pranuarit të akuzave apo etiketimeve të kundërshtarit politik.

Në rastin konkret, vrasja e kryekomsiarit Lamaj ishte tepër sensitive dhe i padituri Tahiri, si pjesë e opozitës parlamanetare të asaj kohe, përveç të drejtës ka patur edhe detyrimin që në kuadër të rrethanave të dala gjatë atyre ditëve t’i bënte ato publike.

Tahiri në postimin e vet në FB, thotë gjykata, nën dritën e këtyre fakteve ka hedhur dyshimet e tij duke i drejtuar kundërshtarit politik pyetje që kërkonin përgjigje në ato momente.

Top Channel