PD mbështet presidentin për drejtësinë

22/07/2014 00:00

Në ditën që përkon me 1-vjetorin e zgjedhjes si kryetar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka folur me tone të ashpra ndaj mazhorancës, që sipas tij po kërkon të marrë nën kontroll sistemin e drejtësisë.

Për herë të parë, Partia Demokratike është deklaruar publikisht në mbështetje të veprimeve të presidentit, i cili sipas saj po përpiqet të mbrojë pavarësinë e drejtësisë.

“Goditja e drejtësisë u parapri me një sulm verbal të pashembullt të Edi Ramës ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i fyer, duke i konsideruar në grup si kategori e njëjtë me Gaten e Lazaratit, duke u përbetuar me terma të tillë, si t’i zhdukim, shporrim, burgosim, etj., edhe pse kryeministri nuk ka aktualisht asnjë mekanizëm në dorë, për ta realizuar këtë. Edhe pse, në fakt, narkotrafikantët dhe banditët e dënuar për trafiqe dhe prostitucion, ai i ka bërë drejtorë, kryetarë këshillash qarku dhe deputetë. E kemi thënë dhe dua ta përsëris, se ne kemi qenë dhe jemi për përforcimin dhe intensifikimin e luftës kundër korrupsionit edhe në sistemin e drejtësi, sepse nuk mbrojmë apriori asnjë gjykatës apo prokuror, për sa kohë besojmë se është sistemi dhe ligji, që siguron dhe duhet të sigurojë si promovimin, ashtu dhe ndëshkimin e gjyqtarëve apo prokurorëve, në raste e parashikuara nga ligji. Por, fakti që ka korrupsion nuk mund të përdoret për të marrë nën kontroll politikisht sistemin. Përballë këtij versioni okult, oligarkik, ne nuk kemi vetëm denoncimin, por edhe alternativën tonë. Ne do të shpallim së shpejti dokumentin tonë strategjik, të Partisë Demokratike dhe opozitës, për reformën në drejtësi, me synimin: mbajtjen larg të pushtetit ekzekutiv nga sistemi i drejtësisë, mbajtjen larg të politikës nga drejtësia. Ne po bëjmë dhe do të vazhdojmë të bëjmë detyrën tonë si opozitë, por imperativi i ditës është ndalimi dhe tërheqja e ndryshimeve antikushtetuese të qeverisë. Ndalimi dhe tërheqja e saj nga projekti oligarkik për të marrë nën kontroll politik sistemin e drejtësisë. Reagimi i pranisë së OSBE-së, është një këmbanë alarmi dhe një thirrje që duhet të dëgjohet. Opozita inkurajon reagimin ligjor dhe institucional të mbarë sistemit dhe institucioneve të drejtësisë, mbështet qëndrimet parimore të Presidentit të Republikës në mbrojtje të Kushtetutës, ligjeve të shtetit dhe vlerave themelore të sistemit demokratik, ku pavarësia dhe balanca e pushteteve është vlerë e vlerave”, deklaroi kreu i PD, Lulzim Basha.

Top Channel