Qeveria miraton reformën territoriale

22/07/2014 00:00

Qeveria i dha dritën jeshile miratimit nga Parlamenti të projektit për ndarjen e re administrative-territorial të vendit. Pa asnjë surprizë të minutës së fundit, Këshilli i Ministrave miratoi mesditën e së martës propozimin e hartuar nga komisioni i posaçëm parlamentar.

“Qëndrimi ynë për reformën administrative-territoriale është i qartë dhe i prerë në mbështetje të propozimit të ardhur nga komisioni parlamentar i reformës.

Projekti për ndarjen e re është me 61 bashki të cilat kanë dalë pas një analize të detajuar për funksionalitetin e secilës në bazë të kritereve të miratuara më parë nga komisioni.

Së bashku me relacionin dhe mendimin pro për ndarjen, Këshilli i Ministrave do të dërgojë në Kuvend të gjitha materialet shoqëruese të propozimit që lidhen me analizën funksionale të njësive të qeverisjes vendore të propozuara sipas hartës së re, si dhe dokumentacionin e plotë që lidhet me procesin e konsultimeve të kryera në të gjithë Shqipërinë”, deklaroi ministri i Pushtetit Vendor, Bledi Çuçi.

Siç edhe Top-Channel raportoi dy ditë më parë, qeveria nuk ka ndryshuar qëndrim për sa i përket Bashkisë së Himarës, pavarësisht pakënaqësive të shprehura nga aleati i qeverisë Vangjel Dule nga PBDNJ dhe Omonia e Vasil Bollanos.

“Himara është një bashki e Shqipërisë si gjithë të tjerat. Ajo është një nga 58 zonat funksionale. Nuk është minoritare”, tha Çuçi.

Do të jetë data 31 Korrik 2014 që shënon seancën e fundit të kësaj legjislature parlamentare, momenti kur parlamenti pritet të shqyrtojë varjatin e propozuar nga qeveria për reformën territorial.

Top Channel