Korça në ethet e Champions

22/07/2014 00:00

Korça është përfshirë nga ethet e Champions League. Prej ditësh qyteti jug-lindor pret me entuziazëm dhe emocion ndeshjen e kthimit të turit të dytë paraeleminator të Champions League, Skëndërbeu-Bate Borisov.

Pritshmëritë bëhen më maksimale nisur nga rezultati i barabartë 0-0 dhe mbi të gjitha paraqitja bindëse e bërë nga skuadra korçare. Trajneri Mirel Josa prej ditësh është duke e përgatitur deri në detaje këtë sfidë.

Shqetësimi i vetëm mbetet gjendja e brazilianit Ademir, i cili për shkak të një dëmtimi të lehtë është stërvitur veçmas nga grupi i lojtarëve. Kjo do të jetë një sfidë më e vështirë për kampionët e Shqipërisë.

Skënderbeut tani i duhet jo vetëm të mos pësojë por dhe të shënojë, gjithësesi, për trajnerin Josa, skuadra e tij nuk ka ndërmend të bëjë aventura.

“Do të mendojmë për të dyja krahët, për sulmin por në fillim për mbrojtjen, sepse e dimë mirë që ndeshjet me dy takime janë shumë delikate në momentin që pëson. Kundërshtari ka lojtarë cilësorë dhe ne do të jemi të kujdesshëm në veprimet mbrojtëse, duke patur parasysh që të kalojmë sa më shpejt në sulm”, thotë Josa.

Pa dyshimn që përgjegjësia është e madhe edhe tek lojtarët, por për kapitenin Bledi Shkëmbi, Skënderbeu s’i druhet askujt dhe ka vetëm një synim.

“Natyrisht që kemi presion, por unë mendoj se është presion pozitiv, nga dëshira që kemi për të kaluar turin dhe për të përsëritur atë që bëmë verën e kaluar kur u kualifikuam ndaj Neftcit. Vërtet që Bate Borisov është një ekip i fortë, por ne s’i kemi frikë. Ne kemi synimet tona dhe do të kërkojmë kualifikimin”, thotë Shkëmbi.

Nisur nga seancat e fundit stërvitore pritet që Josa ta nisë takimin me të njëjtin formacion si edhe në ndeshjen e parë. Shehi në portë, mbrojtja duket e stabilizuar me Vangjelin në të djathtë, Radas dhe Osmani në qendër dhe Arapi në të majtë.

Në mesfushë do të jenë po ata, kapiteni Shkëmbi, Orelesin dhe Lilaj. Më i avancuar do të jetë Progni, ndërsa në sulm Sefa. Mbetet për t’u përcaktuar aktivizimi i Ademir, i cili nëse nuk ia del mund të zëvendësohet nga Berisha.

Ndeshja do të zhvillohet sot në orën 20 dhe do të gjykohet nga arbitri kroat Ante Vuçemiloviç. Për të gjithë ata që nuk do të mundin të sigurojnë një biletë për të parë në stadium kampionët e Shqipërisë, do të kenë mundësinë ta ndjekin drejtpërdrejtë në paketën SuperSport të platformës Digitalb.

Top Channel