Tregtarët e ish-uzinës protestojnë sërish

22/07/2014 00:00

Rreth orës 9 të mëngjesit, tregtarë të tregut te ish-uzina Dinamo kanë protestuar para Ministrisë së Bujqësisë, duke kërkuar anulimin e vendimit për mbylljen e këtij tregu, lëshuar para disa ditësh nga prefekti i Tiranës.

Sipas tyre, ky është një vendim që bëhet për interesa të individëve në dëm të 5.000 familjeve që janë të punësuara në këtë treg.

Tregtarët nuk pranojnë të zhvendosen në tregun e ndërtuar pranë autostradës në Kashar, pasi më parë duhet të vendosen atje tregtarët ambulantë që kanë mbushur trotuaret e kryeqytetit, thanë ata.

“Të ndërhyhet për të ndaluar sulmet e inspektorëve të AKU-t. Të ndërhyni kundër tregut të ri dhe për zaptimin e trotuareve të kryeqyteit”, deklaroi Theodhor Kristuli, përfaqësues i tregtarëve.

Tregtarët e ish-uzinës protestojnë për të tretën herë për mbylljen e tregut dhe thonë se do ta përshkallëzojnë më tej protestën e tyre, duke mos lejuar që të zhvendosen larg banorëve të kryeqytetit.

Top Channel