Ngjela: Himara nuk është minoritet

21/07/2014 00:00

Avokati i njohur Spartak Ngjela kundërshton pretendimet e PBDNJ-së dhe Omonias për ekzistencën e minoritetit grek në Himarë.

“As Dule dhe as Bollano nuk e njohin historinë. Ata shtyhen nga qarqe të caktuara që nuk merren vesh se ç’janë e që nuk dinë se ku kanë kokën. Për çështjen e Himarës, është një çështje që s’ka lidhje me minoritetet. Nuk besoj se himariotët thonë se janë grekë, pavarësisht se kanë marrë ato pensionet dhe mirë kanë bërë. Por kjo nuk ka të bëjë me etninë. Etnia është gjuha dhe etnografia. Gjon Kastrioti zbarkoi në Himarë. Pse? Sepse janë shumica arbëreshë dhe himariotë dhe në shekullin e 17 deri në 18 kanë pasur shumë shkëmbime tregtare me arbëreshët, kanë patur gazetat dhe letërsinë e tyre, etj. Por Dulja nuk e njeh historinë dhe s’mund të vijë të na e tregojë neve”, deklaron Ngjela.

Nëse do të pranohej kërkesa për krijimin e Himarës si bashki minoritare, thotë avokat Ngjela, do të ishte një njollë kombëtare, duke shprehur besimin se politika vendimmarrëse nuk do ta pranojë një gjë të tillë.

Ngjela komenton edhe bashkimin e Himarës me fshatrat e Lumit të Vlorës. “Edhe kjo Labëri është. Ata i ndau feja, por edhe këta lebër janë po të nisemi nga kënga”, thotë Ngjela për mikrofonin e Top Channel.

Nëse për çështjen e Himarës nuk ka asnjë mëdyshje për qenësinë e saj shqiptare, avokat Ngjela thotë se reforma territoriale duhet të përfshinte edhe rajonet, ose ndryshe qarqet.

Kjo reformë duhet të ishte bërë që në 98-n, thotë ai, duke kujtuar se pikënisjet kanë qenë që në Kushtetutën e Fan Nolit, ku u përfshi reforma e kantonizimit të Shqipërisë dhe që parashikonte në të edhe kantonin e Kosovës.

“Unë nuk them se duhet të kalojmë tek kantonet, por tek rajonet me autonomi siç i ka Italia. Këtu duhet të fillonte. Por duhet të jemi të saktë kur themi se nuk mund të ketë reformë territoriale pa pasur reformë për pronësinë në Shqipëri. Ajo është shkatërruar dhe këtë e ka bërë kjo politikë me nepset e veta, me tendencat primitive dhe vizionin jojuridik. Janë reforma që s’i kanë bërë juristët”, shton Ngjela.

Top Channel