Lufta, lojtarët braktisin Shakhtarin

21/07/2014 00:00

Donetsku është shndërruar në kryeqendrën e luftimeve mes forcave qeveritare ukrainase dhe separatistëve pro-rusë dhe pasojat i vuan edhe futbolli.

Skuadra e njohur e këtij qyteti, Shakhtar Donetsk e cila ka habitur me paraqitjet e saj në kupat e Europës vitet e fundit po vuan një eksod lojtarësh. Gjashtë prej futbollistëve të skuadrës nuk janë kthyer në Ukrainë pas miqësores së zhvilluar ndaj Lionit në Francë.

Fillimisht lajmi se gjashtë lojtarët Alex Teixeira, Fred, Dentinho, Douglas Costa, Facundo Ferreyra dhe Ismaily nuk kishin udhëtuar drejt Ukrainës qarkulloi si thashethem, por tashmë ky lajm konfirmohet edhe nga vetë presidenti i Shakhtar, miliarderi Rinat Akhmetov.

Ai thotë se lojtarët kanë nënshkruar një kontratë dhe nëse nuk kthehen duhet të llogarisin pasojat e asaj kontrate, ndërkohë që i garanton për sigurinë e tyre.

“Po është e vërtetë. Gjashtë lojtarë nuk janë kthyer. Ata kanë detyrime ndaj skuadrës dhe duhet të kthehen përndryshe duhet të paguajnë pasojat. Të kthehen sa më shpejt që të jetë e mundur sepse sigurinë ua garantojmë ne”, tha ai.

Ndërkohë, trajneri Lucescu akuzoi agjentin e gjashtë lojtarëve Kia Joorabchian.

“Është një skandal i vërtetë. Joorabchian është duke përfituar nga situata”, tha ai për gazetën franceze L’Equipe. Trajneri rumun dyshon se ka qenë pikërisht ky agjent që i ka bindur lojtarët të mos kthehen në Ukrainë me justifikimin e luftës për të nënshkruar kontrata me të tjera klube.

Top Channel