Kosova dhe Togo, nga e hëna, kanë vendosur zyrtarisht marrëdhënie diplomatike dhe bashkëpunim dypalësh në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe fusha të tjera.

Ministri i Punëve të Jashtme të Togos, Robert Dussey, gjatë qëndrimit në Kosovë, ka takuar kryeministrin Hashim Thaçi, ndërsa pas nënshkrimit të marrëveshjeve me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka premtuar se vendi i tij do të kujdeset për njohje të tjera për Kosovën.

“Qeveria e Togos ka vendosur që të lobojë për shtetet e tjera, që të njohin pavarësinë e Kosovës. Për Togon, pavarësia juaj është e nevojshme, sepse besojmë se vendosmëria e popullit është që të kontribuojmë për paqe në botë”, tha Robert Dussey, ministër i Jashtëm i Togos.

Optimist për shtimin e numrit të njohjeve u shpreh edhe kryediplomati kosovar, i cili tha se me Togon po ndërtohen raporte të thella, që do të ndikojnë në njohje të tjera nga kontinenti afrikan.

“Jemi të interesuar, që të ketë jo vetëm marrëdhënie të shkëlqyera mes qeverive të shteteve tona, mes ekonomive tona, por jemi të interesuar për marrëdhënie të shkëlqyera edhe mes popujve tanë, mes shoqërive tona”, tha Enver Hoxhaj, ministër i Punëve të Jashtme.

Republika e Togos është vendi i 107, që ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ky shtet gjendet në Afrikën Perëndimore, tri shtete të tjera të kësaj pjese ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Top Channel