Aftësia e kufizuar kundër ligjit

21/07/2014 00:00

Për më shumë se dy orë në temperatura të larta personat me aftësi të kufizuara kanë protestuar para Kryesisë së Kuvendit  duke i kërkuar deputetëve të mos miratojnë projektligjin e përfaqësimit të propozuar nga Ministria e Mirëqenies sociale.

Sipas tyre, ky ligj është përjashtues për ta dhe u cënon të drejtat e fituara deri më tani. Mybere Prizreni, kryetare e Shoqatës së Paraplegjkëve, u shpreh: “Zoti ministër, ju gaboheni nëse mendoni se mund të ulni zërin tonë. Ju kërkoni të përçani organizatat tona që janë ngritur nga një grup invalidësh që në vitin 1991.”

Në seancën parlamentare të Komisionit të Cështjeve Sociale ishin ftuar grupet e interesit të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me këtë projektligj. Sinan Tafaj, presidenti i Këshillit të Aftësisë së Kufizuar, theksoi: “Ky projektligj mban në konsideratë interesat e atyre që jetojnë në kurrizin tonë që janë fondacionet që gjoja mbrojnë të drejtat tona. Në Konventën e OKB-së nuk do të gjeni asnjë përcaktim “organizata për personat me aftësi të kufizuar”. Ky projektligj gropos lëvizjen e aftësisë së kufizuar të personave me aftësi të kufizuar.”

Ligji i përfaqësimit të aftësisë së kufizuar është kundërshtuar fort edhe nga Avokati i Popullit Igli Totozani pasi në këtë projektligj është përjashtuar institucioni që ai drejton në mbrojtjen e të drejtave të këtyre personave. Por, nga ana tjetër, ai kujtoi deputetët se ky ligj shkel Konventën e Kombeve të Bashkuara.

“Mosparashikimi i Avokatit të Popullit është një problem i madh në këtë projekt-ligj. Duhet ndryshuar në mënyrë urgjente dhe nuk duhet të ndodhë më në Shqipëri. Ligji cënon parimin e përfaqësimit të organizatave të personave me aftësi të kufizuara”, shpjegoi Totozani.

Deputetët kanë dëgjuar shqetësimet e personave me aftësi të kufizuara dhe në seancën e radhës do ta diskutojnë atë nen për nen. Ndërkohë që në seancë përfaqësuesit e personave me aftësi të kufizuara shprehnin shqetësimet e tyre, jashtë, persona të verbër, paraplegjikë, tetraplegjikë dhe shoqërues të tyre, kanë vijuar protestën.

Top Channel