Brazili, trajneri i ri mësohet të martën

20/07/2014 00:00

Brazili do ta zbulojë të martën identitetin e trajnerit të ri të “Selecao”-s, ka bërë të ditur Federata braziliane e Futbollit.

Luiz Felipe Scolari dha dorëheqjen në fillim të kësaj jave, pasi organizatorët e Botërorit nuk mund të shkonin më shumë se sa vendi i katërt në finalet që përfunduan më 13 Korrik me triumfin e Gjermanisë ndaj Argjentinës. Madje, “Selecao” pësoi edhe humbjen historike 7-1 nga Gjermania, e më pas u mposht 3-0 nga Holanda, në ndeshjen “play-off” për vendet 3-4.

Njoftimi vjen menjëherë pas emërimit të Gilmar Rinaldi-t, gjatë së enjtes, si koordinator i përgjithshëm i Brazilit, me përgjegjësi për të gjitha nivelet e ekipit kombëtar.

“Presidenti i CBF-së, Jose Maria Marin, do të prezantojë trajnerin e ri të ekipit kombëtar të Brazilit, nëpërmjet një konference për shtyp në orën 11:00 të së martës”, lexohej në një deklaratë të publikuar në faqen e Federatës braziliane.

“Kemi folur mbi disa aspekte dhe jemi në kontakte të vazhdueshme”, tha Rinaldi, teksa prezantohej në postin e tij të ri. “Gjëja më e rëndësishme është të përkufizojmë se çfarë kërkojmë dhe profilin e personit që kërkojmë. Duhet ta pranojmë që na duhet një ndryshim rrënjësor”.

Carlos Alberto Parreira u largua gjithashtu nga posti i drejtorit teknik pas Botërorit të këtij viti, së bashku me stafin ndihmës të Scolari-t.

Top Channel