F1, Rosberg diktat në vendlindje

19/07/2014 00:00

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, në Çmimin e Madh të Gjermanisë, në pistën e Mercedes, të fitonte një pilot i një skuadre tjetër.

Niko Rosberg vazhdon të konfirmojë potencialin e makinës së tij, duke vendosur kohën më të shpejtë në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Gjermanisë.

Gjermani ka përfituar edhe nga mungesa e shokut të tij të skuadrës Lewis Hamilton në sesionin e tretë të këtyre provave. Britaniku nuk mundi të zhvillonte më tepër se sa pak minuta nga këto prova zyrtare.

Që në sesionin e parë ai u aksidentua për shkak të një problemi në sistemin e frenimit tek Mercedesi i tij, duke i mbyllur para kohe këto prova e njëkohësisht duke e filluar keq këtë fundjavë, pasi do t’i duhet ta startojë garën nga vendi i 16.

Një paraqitje shumë të mirë në prova bënë edhe dy pilotët e skuderisë Williams. Walteri Botas regjistroi kohën e dytë më të shpejtë të provave me 2 të dhjetat më i ngadaltë se Rosberg, ndërkohë që po kaq ishte më i shpejtë se sa shoku i tij i skuadrës Felipe Massa, i cili starton nga vendi i tretë.

Në linjën e dytë me brazilianin do të niset në këtë garë të Gjermanisë edhe Kevin Magnusen me McLaren. Për të lënë në linjën e tretë të nisjes dy makinat Red Bull me Ricardo, i cili është sërish më i shpejtë sesa shoku i tij i skuadrës Sebastian Vettel. Pilotët e kampiones së botës gjenden respektivisht në vendet e 5 dhe të 6.

E vetmja makinë Ferrari që mundi të kualifikohej për në sesionin e tretë ishte ajo e Fernardo Alonso. Spanjolli e ndaloi kronometrin në kohën 1’17”6, duke u renditur i shtati, ndërsa finlandezi Raikkonen ka pasur robleme në këtë fundjavë e si rrjedhojë e sheh veten në vendin e 12.

Renditja e provave premton për akoma më tepër spektakël në këtë Çmim të Madh të Gjermanisë, ku disa nga protagonistët startojnë nga prapavija. Për të kuptuar më tepër na duhet të presim startin e garës, të dielën në orën 13:50 drejtpërdrejtë në Top Channel.

Top Channel