Protestë e personave me aftësi të kufizuar

19/07/2014 00:00

Të hënën paraplegjike e tetraplegjike dhe të verbër do të protestojnë para kryesisë së Kuvendit për të penguar miratimine projekt-ligjit të përfaqesimit të aftësisë së kufizuar.

“Ne kemi tre ditë që një përfaqësi e vogël qendrojmë në dyert e Kuvendit për të takuar me kryetarin e Kuvendit, por të hënën në orën 10:00, mqs ligji gjithëpërfshirës, sic e quan Ministria e Mirëqënies do kalojë pranë Komisionit të Çështjeve Sociale, të gjithë personat me aftësi të kufizuar do të protestojnë kundër këtij ligji, pasi ky ligj nuk është ligji i gjithëpërfshirjes, por është ligji i përjashtimit të personave me aftësi të kufizuar”, thotë Mybere Prizreni nga Shoqata e Paraplegjikëve.

Presidenti i Shoqatës së të Verbërve, Sinan Tafaj kërkon dorëheqjen e Ministrit Erion Veliaj pasi sipas tij po cënon të drejtat e arritura tashmë nga personat me aftësi të kufizuara duke i dhënë të drejtën të tjerëve t’i përfaqësojnë ata.

“Zoti Ministër ka rënë moralisht si ministër dhe duhet të japë dorëheqjen ditën e hënë sepse ka krijuar në këtë ligj avantazhe për organizatat e veta, u jep kompetenca të na përfaqësojnë, u jep kompetenca të jenë në këshillin ndërdikasterial, u jep kompetencë të marrin shërbime. I ka përqendruar të tëra paratë në ministrinë e tij dhe personat me aftësi të kufizuara i ka konsideruar të pazotë për të folur dhe për të mbrojtur veten. Kujdestarët do t’i caktojë vetë, rregullat e sjelljes brenda familjes do t’i caktojë ministri”, tha Tafaj.

Ai akuzon Ministrin se po manipulon deputetë për ta miratuar këtë projekt-ligj, ndërkohë që kërkon ndërhyrjen e Kryeministrit për të zgjidhur këtë situatë të krijuar me personat me aftësi të kufizuara.

Prej tre ditësh një grup i personave me aftësi të kufizuara u përpoqën të zhvillojnë një takim me kryetarine parlamentit, Ilir Meta, por ky takim nuk u realizua.

Top Channel