Shpërdorime me pagesat e invaliditetit

19/07/2014 00:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar i tërheq vëmendjen qeverisë shqiptare të ndërhyjë për të pastruar programin e ndihmës 150 milionë dollarësh që jep për personat me aftësi të kufizuar.

Në dokumentin e fundit vlerësues për Shqipërinë, Fondi thotë se skema e ndihmës së invalidëve ka abuzime të rënda dhe puna e autoriteteve për pastrimin e saj ka mbetur pas,  një fakt ky që pranohet edhe nga vetë qeveria, e cila në letërkëmbimin me FMN, pohon se deri më tani ulja e pagesave për këtë kategori ka qenë e vogël dhe do të jetë më pak se parashikimet fillestare në buxhet.  

Vitet e fundit pagesat për personat me aftësi të kufizuar janë rritur me ritme shpërthyese. Sipas Ministrisë së Financave në periduhën 2010-2013, fondi që jepet për ta është dyfishuar duke denatyruar strukturën e shpenzimeve sociale.

Çdo vit buxheti i shtetit jep 190 milionë dollarë për shtresat në nevojë. Por mbi 80 për qind e kësaj shume shkon për skemën e invaliditetit dhe vetëm 20 për qind mbetet si ndihmë e mirëfilltë ekonomike për familjet e varfëra.

Në një dokument të bërë publik pak kohë më parë në Tiranë, Banka Botërore thotë se 31 për qind e atyre që  përfitojnë nga pagesa e invaliditetit nuk kanë asnjë kufizim në aftësi ose kanë vetëm kufizime të pjeshme dhe paguhen pa të drejtë.

Muajt e fundit Ministria e Punës ka nisur një aksion të gjerë për verifikimin e personave që përfitojnë nga programet sociale. Por nëse në skemën e ndihmës ekonomike janë zbuluar me qindra raste abuzive, çka ka bërë që numri i tyre të ulet me 15 për qind, në atë të invaliditetit burime nga Ministria e Financave thonë se do të duhet më shumë kohë për të ulur abuzimet.

Top Channel