Spray-tet e arbitrave edhe në Serinë A

18/07/2014 00:00

Bombulat me “spray”, të cilat u përdorën gjerësisht në Botërorin e Brazilit, do të përdoren tashmë edhe në Serinë A italiane. Njoftimi vjen nga vet presidenti i Lega Calcio.

“Është ratifikuar përdorimi i tyre, – ka thënë Maurizio Beretta, gjatë një takimi të këshillit të përgjithshëm, – kështu që do të sezoni i ri do të nisë me adoptimin e kësaj teknologjie të re, të cilën e kishim kërkuar ne të parët”.

Sërish Beretta ka konfirmuar më pas edhe problemin e logjistikës, sigurisht, nuk do të jetë vet arbitrat që do të detyrohen të marrin me vete “spray”-tet.

“Kemi diskutuar tashmë edhe aspektet logjistike – ka vazhduar Beretta – sepse është evidente që këto bombula nuk mund të sillen nga arbitrat me valixhe nëpër duar. Tashmë ato duhen vendosur nëpër stadiume, minimalisht duhet t’i pajisim me furnizime dhe logjistikë, por janë probleme të kalueshme dhe jo problematike”.

Këto bombula do të vazhdojnë të përdoren nga arbitrat për të detyruar lojtarët të respektojnë distancat gjatë goditjeve të dënimit. Javën e kaluar, prodhuesi i bombulave ka deklaruar se është kontaktuar nga UEFA për përfshirjen e “spray”-teve edhe në Champions League. Në këtë rast nuk është folur mbi detaje logjistike.

Top Channel